PDK-ja: Në mars Kosova importoi vetëm 0.56 për qind energji, qytetarët po vazhdojnë të paguajnë 100 për qind rritje

04 maj 2022 | 14:51

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka cilësuar sërish të padrejtë vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili, në një konferencë për media ka thënë se ky vendim ka qenë i panevojshëm dhe është e pakuptimtë që qytetarët të paguajnë faturat e energjisë elektrike me rritje kur ka prodhim të mjaftueshëm të energjisë për nevojat e konsumit të brendshëm.

“Sot jemi këtu për të paraqitur dhe për të zbërthyer këto fakte dhe kemi marrë si shembull muajin mars kur qytetarët tanë kanë paguar energjinë elektrike me 100 për qind. Prodhimi i energjisë ka mbuluar kërkesën e konsumit. Madje, vetëm gjatë muajit mars, sipas shifrave që po i shihni, Kosova ka prodhuar 170 mijë megavat më shumë sesa kërkesa e konsumit.  Ndërkaq, ka importuar vetëm 0.56 për qind energji elektrike”, ka thënë ai.

Ismaili ka thënë se Qeveria ka thënë se është thënë se kriza ka ndodhur për shkak të importit të madh, por faktet tregojnë se Kosova nuk ka pasur krizë energjetike.

“Ngritja e çmimit të energjisë elektrike i ka vënë qytetarët tanë para një dileme të madhe se ku duhet ndarë buxhetin familjar, a duhet të shkoj në produktet bazike të cilat janë shtrenjtuar, a duhet të paguajë faturën apo të hyj në borxhe familjare për të mbuluar muajin. Ky vendim me të cilin qytetarët tanë janë dëmtuar financiarisht ka qenë i padrejtë, i panevojshëm dhe faktet sot tregojnë që ne nuk kemi pasur nevojë fare ta ngrisim çmimin e energjisë”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka rikujtuar se qeveria Kurti pas shumë vitesh ka kthyer reduktimet e rrymës, duke mos ndërmarrë hapa me kohë karshi të ashtuquajturës krizë energjetike.

“E them kështu, të ashtuquajturën, sepse ironia qëndron në faktin e numrave të prezantuar nga kolegët e mi edhe në kuvend, e edhe në konferencat e kaluara për shtyp lidhur me këtë çështje ku shihet qartë se në muajin shkurt ka pasur mjaftueshëm prodhim nga brenda për t’i mbuluar nevojat e konsumit dhe se importi ka qenë në përqindje shumë të vogël, përderisa qytetarët kanë paguar faturën e shkurtit me çmimin e rritur. Dhe të mos harrojmë që është kalkuluar nga gjysma e muajit  sipas vendimit të ZRRE-së. Dhe, duke pasur konsum mjaftueshëm sërish në Kuvend vjen kërkesa për vazhdimin e gjendjes emergjente. Pra, kjo është ironia”, ka thënë Hoxha.

Në këtë kontekst, Hoxha ka thënë se PDK-ja ka iniciuar themelimin e Komisionit Hetimor për energjinë, të cilin sipas saj deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po tentojnë ta pamundësojnë. Ajo ka thënë se në rastet kur kërkesa për themelimin e një komisioni hetimor vjen nga 1/3 e deputetëve, Kuvendi detyrimisht në seancë plenare duhet ta themelojë komisionin.

“Pra, që të jemi të qartë, ky komision tashmë me kushtetutë dhe me Ligjin për hetim parlamentar duhet të cilësohet si i themeluar. Në të kundërtën çdo përpjekje për ta penguar dhe parandaluar themelimin e këtij Komisioni Hetimor përbën shkelje kushtetuese dhe cenim të demokracisë në vend. Kjo është hera e parë që në historinë parlamentare të pengohet themelimi i një komisioni hetimor, por kjo nuk është hera e parë që kjo qeveri e shkelë kushtetutën”, ka theksuar Hoxha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një fenomen i pazakontë ndodh në një fshat në Malin…