PDK-ja përkujton vëllezërit Bytyqi

08 korrik 2022 | 14:44

Partia Demokratike të Kosovës (PDK) ka përkujtuar vëllezërit Bytyqi, të cilët ishin vrarë nga Serbia.

Duke vlerësuar lartë kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës, kjo parti ka theksuar se ata që e kanë kryer krimin makabër ndaj tre vëllezërve Bytyqi ende nuk kanë dalë para drejtësisë.

“Me nderim të thellë, në përvjetorin e 23-të, kujtojmë tre luftëtarët e UÇK-së të ardhur nga Amerika për çlirimin e Kosovës, pjesëtarë të Brigadës ‘Atlantiku’, Agron (23), Mehmet (21) dhe Ylli Bytyqi (25), të cilët u vranë brenda bazës ushtarake të Serbisë. Vëllezërit Bytyqi, të lindur e rritur në familje atdhetare shqiptare në Amerikë, i dolën në ndihmë atdheut dhe popullit të vet, atëherë kur më së shumti kërkohej përkushtimi dhe sakrifica. Ata, erdhën me qindra atdhetarë të tjerë nga Amerika për çlirimin e Kosovës. Megjithëse e panë dhe ndjenë Kosovën e çliruar, ata më nuk arritën të kthehen në gjirin familjar”.

“Vëllezërit Bytyqi, ishin të mbrujtur me ndjenjat më të kulluara atdhetare dhe humane, ndjenja të cilat, regjimi kriminal serb as nuk i kuptonte, as nuk kishte konsideratë, andaj, i vranë duarlidhur, për të dëshmuar fytyrën e vet të vërtetë para botës.  Urdhërdhënësit, bashkëpunëtorët e krimit dhe kryerësit e këtij krimi makabër, ende nuk e kanë marrë dënimin e merituar, për vrasjen e Agronit, Mehmetit dhe Yllit. Nderim i përjetshëm për tre vëllezërit dëshmorë të Kosovës dhe familjen Bytyqi!”, është thënë në njoftimin e PDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klan Kosova do ta transmetojë nesër faljen e Kurban Bajramit…