PDK-ja: S’ka pasur takim të Veselit me Mustafën rreth hyrjes në qeveri

01 tetor 2020 | 17:03

Zërat se PDK-ja do t’i bashkohet qeverisë Hoti janë hedhur poshtë edhe një herë nga partia e Kadri Veselit.

PDK-ja mohon kategorikisht se ka pasur ndonjë takim në mes të krerëve të dy partive ku temë potenciale mund të ishte bashkëngjitja në qeverinë Hoti.

“Jo nuk është e vërtetë. Jo nuk ka pasur takim në mes dy liderëve për këtë çështje”, ka thënë për “Express” zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

Kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, së fundi ka deklaruar se partia që i takon mund të bëhet pjesë e pushtetit nëse e marrin kryeministrin ose presidentin.

“Për t’u bërë pjesë e pushtetit ne duhet ta marrim ose kryeministrin ose presidentin”, ka thënë Lushtaku në “RTK”.

Sot gjatë ditës është raportuar se Isa Mustafa ka mbledhur kryesinë e ngushtë të partisë për të diskutuar mundësinë e zgjerimit të koalicionit.

Por vetë Mustafa për “Express” ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se nuk ka thirrur mbledhje të partisë.

Qeveria e Avdullah Hotit është duke u ballafaquar me vështirësi në parlament, pasi për të pestën herë nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për të miratuar Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
157 raste të reja dhe një qytetar ka humbur jetën…