PDK në Zvicër thirrje mërgatës për mobilizim: Të votohen kandidatët 57, 77 dhe 82 në zgjedhjet e 7 qershorit
Kryetari i Degës së PDK-së në Zvicër, Adhurim Krasniqi, ka bërë thirrje për mobilizim të mërgatës shqiptare në Zvicër që në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit 2026 të mbështesë listën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe kandidatët e propozuar nga kjo degë: Shaip Kadriaj me numër 57, Besim Hoxha me numër 77 dhe Haki Morina me numër 82. Krasniqi ka prezantuar kandidatët e Degës së PDK-së në Zvicër për deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë marrë edhe miratimin e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për të qenë pjesë e listës zgjedhore të partisë.
Në një adresim drejtuar anëtarëve, simpatizantëve dhe mërgatës shqiptare në Zvicër, Krasniqi ka rikujtuar angazhimin e Degës së PDK-së që nga riorganizimi i saj në vitin 2022, duke theksuar se strukturat e partisë janë përballur me katër procese zgjedhore radhazi, tri zgjedhje nacionale dhe një lokale. “Përkundër lodhjes dhe sfidave të shumta politike e organizative, ne asnjëherë nuk u ndalëm dhe nuk qëndruam pasivë. Me përkushtim të plotë kemi punuar që mërgata jonë ta ketë zërin e saj aty ku vendoset fati i Kosovës”, ka deklaruar ai. Sipas Krasniqit, kandidati i mëparshëm i Degës së Zvicrës, Ragip Xhaka, në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 kishte arritur të sigurojë afro 18 mijë vota, duke dëshmuar, siç tha ai, besimin dhe fuqinë organizative të mërgatës shqiptare në Zvicër. Ai ka kritikuar situatën politike në Kosovë, duke thënë se vendi është futur në një krizë të panevojshme politike pas dështimit të partisë në pushtet për të krijuar institucionet, çka sipas tij ka çuar Kosovën sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme. Krasniqi ka vlerësuar lart kandidatët e Degës së PDK-së në Zvicër, duke i cilësuar si figura të dëshmuara në angazhimin kombëtar, profesional dhe komunitar. Për Shaip Kadriajn, kandidatin me numër 57, ai tha se përfaqëson një brez të ri energjik dhe të përkushtuar, i cili ka dëshmuar aftësi organizative si kryetar i nëndegës në Cyrih dhe sekretar i përgjithshëm i Degës së PDK-së në Zvicër. Ndërkaq, për Haki Morinën, kandidat me numër 82, Krasniqi tha se ai është simbol i sakrificës dhe qëndresës shqiptare në mërgatë, ish i burgosur politik dhe aktivist i çështjes kombëtare. Për kandidatin Besim Hoxha me numër 77, ai theksoi se bëhet fjalë për një afarist dhe profesionist të suksesshëm, i cili me përgatitjen dhe seriozitetin e tij i jep vlerë listës së PDK-së.
“Këta nuk janë vetëm tre kandidatë, por tri vlera të mëdha të mërgatës sonë. Janë figura që na bëjnë krenarë si Degë e PDK-së në Zvicër”, ka deklaruar Krasniqi. Në fund, ai u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë dhe të mobilizohen maksimalisht për zgjedhjet e 7 qershorit. “Le ta dëshmojmë edhe një herë se mërgata shqiptare është forca më e madhe kombëtare dhe mbështetja më e fuqishme e Kosovës. Ta rikthejmë PDK-në fituese dhe t’i japim Kosovës stabilitet, dinjitet dhe institucione të forta”, ka përfunduar ai.



