Pelosi: Procesi për shkarkimin e presidentit Trump do të vazhdojë

05 dhjetor 2019 | 16:46

Kryesuesja Nancy Pelosi, ka thënë se Dhoma e Përfaqësuesve do të paraqesë akuzat për shkarkim kundër presidentit të ShBA-së, Donald Trump, lidhur me pretendimet për abuzim me pushtetit.

“Demokracia jonë është vënë në pikëpyetje, presidenti nuk na lë zgjidhje tjetër veçse të veprojmë”, ka thënë demokratja Pelosi.

Deklarata e saj është bërë një ditë pasi Komiteti për Gjyqësi i Dhomës ka filluar të shqyrtojë akuzat e mundshme kundër presidentit republikan.

Presidenti Trumpi u ka thënë demokratëve që të lëvizin më shpejt në procesin e shkarkimit.

“Nëse dëshiron të më shkarkosh lëviz më shpejt, në mënyrë që të kemi një gjykim të drejtë në Senat”, ka shkruar Trumpi në llogarinë e vet në “Twitter”, menjëherë pas deklaratave të Pelosit.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët miraton akuzat për shkarkim, atëherë çështja kalon në Senat, ku republikanët e kanë shumicën.

Kongresistja nga Kalifornia, Nancy Pelosi, ka thënë në një konferencë për medie se “faktet janë të pakontestueshme. Presidenti abuzoi me pushtetin për përfitimin e tij politik, në kurriz të sigurisë sonë kombëtare, duke ndaluar ndihmën ushtarake dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë, në këmbim të një hetimi për rivalin e tij politik”.

Dhoma e Përfaqësuesve la vendosur të fillojë procesin e shkarkimit të presidentit të ShBA-së, pasi një informator i paidentifikuar kishte deponuar një ankesë lidhur me një telefonatë të zhvilluar në korrik ndërmjet presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelenskyi.

Sipas informatorit, gjatë kësaj bisede, Trumpi i kishte kërkuar Zelenskyt që të hetojë për korrupsion rivalin e tij politik Joe Biden dhe djalin e tij.

Bideni aktualisht po synon që të marrë nominimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se dënimi…