Për 10 ditë parashikonte t’i testonte të 11 milionët, Wuhani testoi falas 6.5 milionë qytetarë

26 maj 2020 | 10:39

Qyteti kinez i Wuhanit kreu 6.574.093 teste të acidit nukleik për t’i ekzaminuar rastet e reja me koronavirus në periudhën 14-23 maj, njoftoi autoriteti shëndetësor vendor.

Sipas Komisionit Shëndetësor në Wuhan, qyteti kreu 1.146.156 teste vetëm ditën e shtunë, pothuajse 15 herë më shumë se në 14 maj, kur Wuhan-i filloi fushatën e përgjithshme të testimit. Ekzaminimi masiv synon gjetjen e rasteve asimptomatike ose rasteve që nuk shfaqin simptoma të qarta, pavarësisht se e mbartin virusin.

Numri ditor i ekzaminimeve arriti pikun më 22 maj, kur qyteti me afro 10 milionë banorë kreu 1.470.950 teste të acidit nukleik.

Vendimi për të shtuar testimet për të gjithë ata që nuk janë testuar më parë u mor pasi në Wuhan pati raportime për raste të reja asimptomatike. Kjo shtoi shqetësimin e banorëve, pasi në Wuhan ishin rihapur fabrikat, bizneset dhe shkollat.

Para fushatës, qyteti kishte kryer mbi 3 milionë teste të acidit nukleik.

Sipas Komisionit, testimet u kryen pa pagesë. Prioritet u jepet lagjeve të banimit ku ishin raportuar më parë raste, si dhe zonave me popullsi të dendur. Fëmijët nën gjashtë vjeç nuk këshillohen të bëjnë testimin.

Fushata e testimit është pritur me entuziazëm të madh nga publiku. Banorët me maska qëndrojnë në radhë të gjata ndërsa ruajnë distancën nga njëri-tjetri jashtë vendeve të improvizuara për testime brenda komuniteteve dhe hapësirave publike të qytetit. /Marrë nga CRI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Virusi nuk do të mund të mbijetojë dhe kjo do…