Për njeriun e mirë, të munguar

21 mars 2023 | 08:24

Nga: Ben Andoni

Në ditët tona flitet shumë për njeriun e mirë! Flitet po kaq për traditat familjare të aksh njeriu, nga vetë ai, njeriu! Në ditët tona, kushdo mëton sesi duhet të jetë njeriu, pa qenë njeri! Por, njeriu i mirë dhe i vërtetë duket se na mungon. Sepse, ai, njeriu i vërtetë, nuk thotë asnjëherë se unë jam…

Pa dashur të futemi në karakterin filozofiko-sociologjik të këtij termi, po saktësojmë: ky shkrim i dedikohet profesor Selim Islamit në 100-vjetorin e lindjes së tij. I ndjeri Moikom Zeqo, në stilin e vet eliptik, do t’i kushtonte një shkrim postmortum me keqardhjen e thellë, i cili nënkuptonte se njerëz të tillë nuk do të na vinë ose një shoqërie i duhet shkallë emancipimi dhe periudha të tëra historiko-sociale të na sjellin të tillët. Pse atëherë dhe jo sot? Pse Shqipëria e dikurshme kishte personazhe që i blatoheshin shumë cilësi të mira dhe mund të gjeje shumë idealizëm? Befas, shkruan diku Majakovki, të gjithë burrat e bukur u zhdukën!

Edhe pse kjo i shkon periudhës më të errët të një shoqërie, si ajo që pësoi hapësira ish-sovjetike me Revolucionin e Kuq, një gjë është e paqartë, pse nuk kemi më në shoqëri personalitete të vërteta, që t’u dedikohemi dhe t’i kemi modele. Mbase kjo të shkon ndërmend në ditën përkujtimore të profesor Selim Islamit. Dhe, duket se përgjigjja është e thjeshtë. Nëse të duhet të bësh atë që bëri profesor Seim Islami, do të duhet të ngjitesh e të zbresësh pareshtur në vende të ndryshme arkeologjike, të luftosh me armë në dorë (ish-partizani), të studiosh pareshtur pa bërë gjasme, e pa pasur nevojën se do të bësh bujë dhe mbi të gjitha të vendosësh kritere morale.

Profesor Eqrem Çabej mbështeti me anë të gjuhës tezën e filiacionit të shqiptarëve nga ilirët në rrafshin gjuhësor, por ishte profesor Selim Islami, i cili mban peshën e drejtimit dhe strukturimit të historisë shkencore të qytetërimit, shtetit dhe të qytetit Ilir. I tillë ishte sarandjote Islami, lindur në Pandalejmon, plot një shekull më parë, kujtim që nuk e ndau kurrë bashkë me adhurimin për origjinën çame.

Në një nga kujtimet thuhet se kur ndërtohej shkolla e fshatit vetofroi gurët e shtëpisë së tij të lindjes për të ndërtuar shkollën e re. Nga e vjetra, dikur, ku mori mësimet e para dhe u shpërngul drejt Normales së Elbasanit (universitetin moral të shqiptarëve kur s’kishim një të tillë) e pastaj Moska. Diplomohet si etnolog dhe i kushtohet në punën e tij jetës dhe ekzistencës së shqiptarëve të Ukrainës, ku ende kemi disa foto të tij, që presin të ekspozohen për publikun. Kushedi me sa dhimbje do ta përcillte sot tragjedinë e tyre, tashmë që janë mu në pjesën më aktive të luftës nën renë e armatimit të llahtarshëm rus.

Prof. Selim Islami me kalimin e viteve së bashku me kolegët e tij: prof. Hasan Ceka, prof. Skënder Anamali, prof. Frano Prendi dhe pak të tjerë do të japin dhe krijojnë elitën e studiuesve shqiptarë të arkeologjisë dhe modelin për t’u ndjekur. Puna studimore e tij por edhe e kolegëve të sipërpërmendur ndahet me vështirësi nga puna e madhe në terren. E nisi këtë punë, diktuar nga krijimi i liqenit artificial të Matit për të bërë gërmimet e plota në tumat e Matit.

Në një nga kujtimet thuhet se kur ndërtohej shkolla e fshatit vetofroi gurët e shtëpisë së tij të lindjes për të ndërtuar shkollën e re. Nga e vjetra, dikur, ku mori mësimet e para dhe u shpërngul drejt Normales së Elbasanit (universitetin moral të shqiptarëve kur s’kishim një të tillë) e pastaj Moska. Diplomohet si etnolog dhe i kushtohet në punën e tij jetës dhe ekzistencës së shqiptarëve të Ukrainës, ku ende kemi disa foto të tij, që presin të ekspozohen për publikun. Kushedi me sa dhimbje do ta përcillte sot tragjedinë e tyre, tashmë që janë mu në pjesën më aktive të luftës nën renë e armatimit të llahtarshëm rus.

Prof. Selim Islami me kalimin e viteve së bashku me kolegët e tij: prof. Hasan Ceka, prof. Skënder Anamali, prof. Frano Prendi dhe pak të tjerë do të japin dhe krijojnë elitën e studiuesve shqiptarë të arkeologjisë dhe modelin për t’u ndjekur. Puna studimore e tij por edhe e kolegëve të sipërpërmendur ndahet me vështirësi nga puna e madhe në terren. E nisi këtë punë, diktuar nga krijimi i liqenit artificial të Matit për të bërë gërmimet e plota në tumat e Matit.

Ky libër përmban jo thjesht emrat e atyre personaliteteve dijetarë të Lashtësisë që shkruan për Ilirinë, por edhe dëshmitë e tyre, një nga librat më të plotë kushtuar ilirëve në gjuhën tonë. Libri është i madh sa përmasat e Biblës dhe në të vërtetë ky libër është Bibla e ilirologjisë për ne shqiptarët, shprehej gati në apoteozë Moikom Zeqo. Madje, diku shton edhe një nga amanetet e tij, kur i kujtohet të botohet edhe me krestomacinë. “Eh, kjo është ëndrra ime më e madhe e jetës, tha Selim Islami.

Në bibliotekën time në shtëpi kam përgatitur 30 vëllime të autorëve më të rëndësishëm të motshmërisë, ku njëra faqe është në gjuhën origjinale, fjala vjen të Herodotit, të Tit Livit, të Salustit, të Euseb Hieronimit, të Prokopit të Cezaresë etj., dhe në faqen tjetër është përkthimi im i saktë dhe në mënyrë akribike në shqip” (Ibid).

Siç e thamë pak më sipër, ai nuk e ndau kurrë studimin me punën në terren, por ndërkohë ia vlen të përmendet puna që bëri në vitet 1958-60, që do mbahet si moment kthese për arkeologjinë tonë, pasi nën drejtimin e profesorit rus, V. Bllavaeki, u punua në qytetin e famshëm të Apolonisë, kur punoi në formë të plotë ekspedita shqiptaro-sovjetike. Ajo konsiderohet si një nga ndërmarrjet më të mëdha në terren, ku morën pjesë të gjithë arkeologët shqiptare, një grup prej 20 studentësh e mbi 200 punëtorë gërmimi.

Gërmimet vazhduan edhe në qytetin e Orikut (Vlorë) e në Çukë të Ajtoit, që konsiderohet një shkallë më e lartë e studimeve dhe, ku sipas studiuesve, u hodhën bazat e metodës shkencore të gërmimeve arkeologjike shqiptare. Këto janë vitet kur del roli i tij si organizator i mirë dhe drejtues i qartë shkencor. Pak kohë më vonë (1962), prof. Islami sërish me një nga njerëzit që i dha aq shumë arkeologjisë shqiptare, mbase dekani i saj, profesor Hasan Cekën parashtrojnë në Konferencën e parë albanologjike, arritjet kryesore arkeologjike në fushën e kulturës ilire, që hedh dritë për autoktoninë.

Ai do kthehej sërish në terren ku gërmoi në Kalanë e Xibrit (Mat), në Zgërdhesh (Krujë), në Çukë të Ajtoit e në qytetin antik të Butrintit. Meritë e këtyre punëve është se falë gjetjeve, nisi studimet e strukturuara për qytete ilire dhe zhvillimin e jetës aty si edhe fazat e ndryshme të zhvillimit, ku siç thuhet nga profesor Korkuti: ajo që është interesante dhe i nderon profesorët Islami, Ceka, Anamali dhe Prendin është se “ushtruan veprimtarinë e tyre në 50 vitet e shekullit të kaluar, në kushtet e një izolimi të plotë. Ata punuan me shpëtim të madh për të vërtetën historike. Me përgjegjësinë e specialistit dhe me objektivitet shkencor, u angazhuan në zgjidhjen e problemeve më të mëdha të arkeologjike e të historisë antike të vendit tonë dhe sot kur tentojmë të gjykojmë mbi veprimtarinë e tyre shkencore, vërejmë se ka shumë pak për të rishikuar e korrigjuar. Prandaj puna e prof. Selim Islamit dhe e kolegëve të brezit të tij do të qëndrojë në themel të të gjitha kërkimeve e studimeve të ardhshme të arkeologjisë shqiptare”, referohet në nekrologjinë që Korkuti shkroi për të.

Ish-luftëtari i Luftës së Dytë, Selim Islami, i mbronte jo thjesht me argumente e logjikë idetë dhe gjetjet arkeologjike, por kishte kurajën edhe të debatonte qoftë me instancat. Në një rast të tillë, thuhet se ka kërkuar që të debatohej me Kryeministrin e kohës, Mehmet Shehu, që kishte kërkuar të ndërtohen disa qendra zjarri në Jug në një nga vendet arkeologjike. Të tilla grimca janë të pamjafta për të plotësuar figurën e tij, por krijuesi i teorisë së shtetit dhe të qytetit ilir, që respektoi të gjitha studimet dhe disiplinoi peizazhin shkencor ilir tregoi shumë më tepër me modelin e tij. Dhe, kësaj i shtohet edhe fakti që Selim Islami ka qenë një studiues, pedagog dhe orator i denjë, që ka mbetur në memorien e brezave të tërë të studentëve.

Mbase është e tepërt, por tregohet se në fund të jetës u la amanet njerëzve të tij, ta varrosnin në Çukën e Ajtoit, pika më ekstreme e kufirit Shqipëri – Greqi. Bash, një seksion i saj është në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar, ku vetëm pak metra më tutje, i biri i tij, Agron Islami po restauron mozaikun e madh. Të ketë koha një lloj kodi, që afron detaje të jetës në këtë lloj forme, ku puna dhe dedikimi nuk e braktisin familjen, Islami. Mbase, por kujtimi i prof. Islamit, duket se është tashmë në stendat, librat dhe memorien e gjallë të njerëzve, që i kanë lënë Shqipërisë aq shumë, mbi të gjitha modelin e njeriut të mirë shqiptar, aq të rrallë, e aq të vetëm. Si ai. (Homo Albanicus).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Kastriot Dervishi Kongresi i Lushnjës është ngjarja më kryesore…