Për ty Ymrije Beqaj, për ty Lumnije Mustafa (tashmë e ndjerë)

07 shkurt 2020 | 14:59

Shkruan: Arieta Mjeku

Faleminderit për ju, dy perëndesha të mirësisë. Dy perëndesha të bukurisë, ju dy mësuese të klasës sime, ju dy fjalët vendimtare të mençurisë e urtësisë, njëra shkoi për t’u mos u kthyer më në mesin tonë. Na la në këtë botë, në klasën e dytë të shkollës fillore të pikëlluar, në vitin 1987 në shkollën fillore “Dardania” , ishte ajo Lumnije Mustafa ndër mësueset më me autoritet të kohës.

Ishim në klasë të dytë, morëm lajmin që mësuesja Lume ndërroi jetë, pas një sëmundje të rëndë. E donim shumë, na dhuronte çdo ditë përqafime, buzëqeshje të ngrohta, mundohej të na mësonte e edukonte në mënyrën më të mirë, bënte çmos për ne, sikur të ishte nënë e jonë. Mbante edhe disipline në të njëjtën kohë, gjë që ne aq të vegjël ishim dhe turpëroheshim para saj. Ishte një dhimbje e madhe jo vetëm për ne si nxënësit e saj por, dhimbjen e përjetuan edhe prindërit tanë, ngase ishte mësuese për çdo lakmi. E përcollëm me kurora lulesh deri në shtëpinë e saj të fundit, por tash kur e kujtojmë, ishim të vegjël të dinim ta përjetonim rëndë humbjen e zonjës më të madhe që kam njohur ndonjëherë. Iku koha, ishim fëmijë të vegjël, humbja e saj ishte tronditëse për ne, sepse po ta pyesësh çdokënd për të që e ka njohur, nuk ka njeri që nuk i thotë fjalët më të bukura për te.

Ishim duke ndenjur në klasë, duke pritur se kush do jetë zëvendësuesja e saj, a ka dikush që mund ta zëvendësonte aq drejt e aq bukur , një zonjë të pashembullt.

Të vegjël, por goxha pesimistë.

Erdhi një mësuese në klasën tonë. Ajo na u prezantua , e kishte emrin Ymrije Beqaj dhe që nga ajo ditë,  do të ishte mësuesja e klasës time. E bukur, sa të duash, me sharme që sot e asaj dite nuk e harroj, por zemrat ende i kishim të zbrazura, sepse Lumja nuk ishte me ne, ishte Ymrija. Ne nuk dinim gjë për të, e panjohur për ne, fytyrë e bukur por thjesht e panjohur, nuk kishte gjë që mund të na ndërronte mendjen, që ne ta donim mësuesen Ymrije, sa të ndjerën Lumnije.

Mësuesja Ymrije punoi shumë me ne, filloi ta kuptonte mjaft mirë zbrazëtinë që e kishim në zemrat tona. Filloi të na edukojë e të na mësojë aq shumë duke na kuptuar në thellësi, saqë aty u ndalëm dhe menduam, ngadalë se mësuesja Ymrije qenka e duhura për ne, dikush nga lartë e solli këtë zonjë në mesin tonë që, të na shëronte zemrat e vockla. Ymrija, ky shembull i pashembullt për ne, kjo lule ngjyrë vjollcë që na ngrohi zemrat pafundësisht. Ajo që ktheu buzëqeshjet tona, riktheu përqafimet që na mungonin për kohë të shkurtër, por që për ne koha na dukej të ishte e gjatë. Ishe frymëzim për ne, që edhe sot e asaj dite, disa nga ne ende përmendim fjalët tua edukative. Edhe sot, mësuesja Ymrije, je vizioni dhe misioni im në rrugëtim.

Faleminderit që erdhe, kur ne kishim më së shumti nevojë për prezencën tënde.

Ti, oj lulja e mirësisë, e bukurisë dhe mençurisë.

Faleminderit që ende ekziston!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar sot ish të…