Përfaqësuesit e OEAK-ut prezantojnë propozimet e tyre për qeverinë e re

20 gusht 2019 | 14:43

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë (OEAK), kanë organizuar të martën tryezën me temë “Gjendja e Prodhimit në Kosovë”, ku përfaqësuesit e bizneseve prodhuese të Kosovës, kanë paraqitur ankesat dhe kërkesat e tyre drejtuar qeverisë së re.

Me këtë rast, kryetari i OEAK-ut, Arian Zeka numëroi disa nga problemet me të cilat po përballen bizneset në Kosovë. “Disa lidhen me fuqinë punëtore që kanë zënë vend si ankesat më të fuqishme. Janë disa çështje të kryerjes së pagesave dhe ligji për tregtinë e brendshme që ka qenë në proces i cili do jetë një prej ligjeve me prioritet për qeverinë e re”, u shpreh ai.

Kurse, Kujtim Gjevori nga kompania prodhuese “Scampa”, ka thënë se ndër problemet kryesore të kompanive janë: mungesa e energjisë elektrike, qasja në financa, si dhe shkolla profesionale për të nxjerrë punëtorë të kualifikuar. “Ka pasur zhvillime në industrinë e prodhimit në Kosovë, por nuk do të thotë me u ndalë me kaq. Kemi edhe shumë problematika, si energjia elektrike se po shohim që ka me pas ngritje dhe duhet me pas shumë rëndësi me u bë një listë për çmimore të energjisë elektrike, pasi sot paguhet njëjtë si për amvisëri si për industri. Është me rëndësi të bëhet tash e jo më vonë, pasi nëse ngritët çmimi do rritet edhe kostoja e prodhimi dhe mund të na bëjë jo konkurrentë”, ka deklaruar Zeka.

Ndërkaq, Bajram Rushiti, nga furra “Buka”, ka thënë se duhet punë ende për të rregulluar qasjen në financa. “Sa i përket qasjes në financa ka shumë vend. Vetëm vitin e kaluar kemi humbur para në trust, unë për vete 1600 euro”, ka thënë Rushiti, duke shtuar se duhet të fillojë subvencionimi edhe për prodhuesit. “Te subvencioni kish qenë mirë që me filluar me subvencionuar prodhues. Subvencioni edhe në energji elektrike kish me qenë shumë e mirëseardhur”, u shpreh ai.

Kurse, Gojart Kelmendi nga kompania “Flutura”, pati disa propozime për qeverinë e re, që përfshijnë strategjinë për eksport të produkteve vendore, subvencionet, shkollat profesionale etj. “Një propozim për qeverinë e re do ishte një strategji afatshkurtër dhe gjatë me qëllim të zhvillimit të sektorit prodhues. Kosova është e vetmja që nuk ka një strukturë të tillë. Jemi një shtet që mbi 90 për qind jemi importues dhe qëllimi i qeverisë së re është një strukturë që do zhvillonte sektorin prodhues. Të gjithë ne prodhuesit po kemi problem me financimet e bankave komerciale. Shteti duhet të krijojë një bankë shtetërore. Qeveria e re do duhej të subvenciononte prodhuesit e rinj me makineri që ë zbutej edhe papunësia. Pikë tjetër janë shkollat profesionale. Një prej problemeve janë kuadrot e punëtorëve, nuk kemi kuadro të profesionalizuar”, ka deklaruar Kelmendi.

Kurse, Ylber Bajraktari nga “StoneCastle”, ka thënë se çdo herë e më shumë po vërehet mungesë e kuadrove profesionale punëtore. “Kompania jonë ka ardhur në situatë ku një punëtor i joni i mbikëqyr 5 hektarë të rrushit. Një faktor është emigracioni dhe tjetra mosmbështetja e qeverisë. Subvencione nuk u ka gëzuar kompania jonë deri vitin e kaluar përmes gjykatës. Tjetër është lirimi nga akciza. Në Kosovë jemi të detyruar ta mbushim arkën e shtetit për të dalë me pjesëmarrje në treg”, u shpreh Bajraktari.
Ai ka kërkuar që për çdo litër eksport të produkteve të kompanisë, të subvencionohen prej 10-15 centë.

“Për çdo litër të verës që e eksporton të subvencionohemi prej shumë 10-15 cent. Duke i parë nga statistikat se sa është importi i verës në Kosovë është shumë, ndërsa jemi kompani të verës në Kosovë rreth 24 kompani. Ajo që kërkoj të kemi mbështetje të madhe nga të gjitha odat, të kemi përkrahje më të madhe. Asnjë udhëzim administrativ nuk ka lëvizur që nga viti 2005-2009”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Takimi në Sarajevë ndërmjet anëtarëve të presidencës trepalëshe, Shefik Xhaferoviq,…