Përforcime për Evropë dhe për titull

07 qershor 2019 | 11:19

Skuadra e Prishtinës do ta prezantojë futbollin e Kosovës në garat e Ligës së Evropës. Kryeqytetasit për të pasur paraqitje sa më dinjitoze në këtë garë, të enjten kanë rikthyer dy ish-futbollistët e saj, Endrit Krasniqin dhe Ahmed Januzin.

FC Prishtina pritet të jetë skuadër shumë e fortë në edicionin e ri futbollistik 2019/2020. Klubi nga kryeqyteti, pasi siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, konfirmoi se në krye të skuadrës do të vazhdojë të jetë trajneri Mirel Josa. “Bardhekaltrit” të mërkurën e prezantuan transferimin e shënuesit më të mirë të Drenicës, Kreshnik Uka, derisa të enjten kjo skuadër ka arritur t’i rikthejë edhe dy ish-futbollistët e saj, Endrit Krasniqin dhe Ahmed Januzin.

Endrit Krasniqi, i cili e ka lënë skuadrën e Dritës, ka bërë me dije se ka refuzuar shumë oferta për t’u rikthyer sërish në skuadrën e Prishtinës. “Në Prishtinë rikthehem vetëm për një arsye: synimet që ka kjo skuadër. Me Prishtinën pres sezon fantastik. Besoj shumë se do të na përputhen qëllimet, që nga garat kualifikuese në Evropë dhe në kampionat. Tash na mbetet vetëm ta kryejmë detyrën tonë. Bisedimet kanë qenë të gjata, sepse kisha edhe oferta të tjera, por dihet se Prishtina është Prishtinë dhe vendosa të rikthehem sërish në gjirin tim. Ekipin e njoh. Pothuajse shumica e futbollistëve janë të njëjtë nga koha kur isha këtu, me pak ndryshime. Jemi ekip i mirë dhe me punë besoj shumë do t’i arrijmë objektivat”, ka thënë Krasniqi.

Në skuadrën e Prishtinës është rikthyer vetëm pas një viti edhe ish-sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Ahmed Januzi. Ky i fundit në edicionin e fundit mbrojti ngjyrat e Llapit dhe, përkundër lëndimit, ka arritur të shënojë 13 gola. “Ka qenë dëshirë e dy palëve, e Prishtinës dhe e imja, dhe jam shumë i kënaqur që kthehem sërish. Kam nderin që do të luaj sërish me këtë fanellë pranë shokëve që deri një vit më parë i kam pasur kundërshtarë. Tash ambiciet i kemi të përbashkëta dhe shpresoj shumë se ato do t’ia arrijmë së bashku, sidomos kam shumë besim në kualifikimet e Evropa Ligës. Ekipi është ruajtur ashtu siç e kam lënë, përpos shumë pak ndryshimeve kualitative. Kthimi i Endritit është shumë i qëlluar. Ndihemi faktikisht si në shtëpinë tonë. Shpresoj shumë se do të kemi sukses, me angazhim maksimal, sepse ekipi është i mirë dhe vetëm sa është përforcuar edhe më shumë. Patjetër që me një trajner si Josa, i cili është me shumë cilësi dhe me vlera të mëdha njerëzore, do të dijë të na mbajë të grumbulluar”, ka thënë Januzi.

Tashmë ish-skuadrat e këtyre dy futbollistëve, Drita dhe Llapi, i kanë falënderuar Endrit Krasniqin dhe Ahmed Januzin për kontributin që kanë dhënë dhe i kanë uruar suksese me skuadrën e re.

/Epoka e re/ 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e vona…