Përfundon protesta e punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës

21 gusht 2019 | 15:14

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kanë përfunduar grevën e tretë më radhë, që ka nisur nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 14:00.

Gjashtë orë sa ka zgjatur greva nuk ka pasur ndonjë pengesë në realizimin e fluturimeve, ka thënë Valentina Gara, zëdhënëse në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Kompanitë ajrore vendosin vetë a do të anulojnë fluturimet pas paralajmërimeve zyrtare se do të ketë grevë. Fluturimet të cilat janë paraparë të realizohen sot janë realizuar sipas planit”, ka thënë Gara, duke shtuar se në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nuk janë mbyllur operimet.

Gjatë mbajtjes se grevës, në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës, të pranishëm kanë qenë edhe pjesëtar të Policisë se Kosovës.

Ndryshe, zbatimi i Kontratës Kolektive është një nga kërkesat e punëtorëve, por e cila sipas menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, konsiderohet joligjore.

Kontrata Kolektive parasheh shujtën, shpenzimet e udhëtimit dhe pagën jubilare çdo 10 vjet për punëtorët.

Kontrata Kolektive në Kosovë është një marrëveshje e arritur në bazë të Ligjit të Punës, dhe si e tillë ligjërisht rregullon të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat. Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka përkrahur kërkesat e punëtorëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demir Lima, anëtar i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate Dega në…