Përfundon takimi i Metës me ambasadorët e vendeve të BE-së

21 maj 2020 | 13:42

Ka përfunduar takimi i presidentit të Shqipërisë,  Ilir Meta me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian (BE), ndërkohë që ende nuk dihen shumë detaje nga ky takim.

Vlen të theksohet se gjatë ditës së sotme presidenti Meta ka pasur një takim me opozitën jashtëparlamentare, ndërkohë që këshilltarët e tij kanë takuar në Presidencë ambasadorët Yuri Kim dhe Peter Zingarf.

Në një deklaratë zyrtare pas takimit me opozitën Presidenca ka njoftuar se: “Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për opozitën e bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave evropiane. Presidenti Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej Tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin evropian”.

Sipas këtij njoftimi, presidenti Meta ka theksuar rëndësinë që opozita e bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, raporton “TCh”.

Gjithashtu, Meta ka njoftuar drejtuesit e opozitës për përpjekjen dhe propozimin prej tij të një platforme prej 11 pikash për integrimin evropian. Platforma ka dy shtylla, drejtësinë dhe integrimin.

Me këtë platformë prej 11 pikash janë njohur edhe ndërkombëtarët.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një pemë është rrëzuar tek kryeministria në Shqipëri, por fatmirësisht…