Përkujtohet dëshmori Shemsi Istrefi në 27-vjetorin e rënies

27 prill 2026 | 15:52

Sot, janë bërë 27 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Shemsi Istrefi, në Betejën e Melenicës më 27 prill 1999, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shemsi Istrefi lindi më 20 gusht 1977 në Vushtrri, në një familje me tradita atdhetare, e njohur për qëndresë ndaj okupatorit. Arsimin fillor e kreu në shkollën “Zija Prishtina”, ndërsa atë të mesëm në “Muharrem Bekteshi”, në drejtimin e elektroteknikës. Që në rini u angazhua në protesta kundër pushtuesit, duke u bërë pjesë aktive e lëvizjes çlirimtare. Më 15 korrik 1998 iu bashkua radhëve të UÇK-së, në Brigadën 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës, ku shpejt u dallua për guxim dhe përkushtim.

Gjatë luftës mori pjesë në shumë beteja të rëndësishme, përfshirë ato në Kutllovc, Sumë, Trepçë dhe Rahovë. Ai ishte pjesë edhe e Njësisë Speciale, ku u shqua për trimëri dhe angazhim të pandalshëm në vijën e parë të frontit. Më 26 prill 1999 u zhvilluan luftime të ashpra, në të cilat ranë shumë luftëtarë të lirisë. Shemsi Istrefi qëndroi në pozicionet e tij, duke luftuar pa u ndalur gjatë gjithë natës, deri sa ra më 27 prill 1999. Shemsi Istrefi mbetet simbol i sakrificës dhe guximit për lirinë e Kosovës.

Për kontributin dhe veprën e tij, familja e dëshmorit është nderuar me mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Zonës Operative të Shalës dhe Kuvendi Komunal i Vushtrrisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Arsenalit, Martin Odegaard, është konfirmuar si lojtari më…