Përmbytje të mëdha në ShBA, 25 të vdekur, dhjetëra të zhdukur
Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Kentucky, ShBA, ka shkuar në 25 dhe pritet të rritet edhe më tej, tha sot guvernatori i shtetit amerikan.
“Ne kemi disa lajme të këqija për të raportuar sot nga Kentucky lindor. Jemi ende në fazën e kërkimit dhe shpëtimit”, shkroi Andy Beshear në “Twitter”.
“Numri i të vdekurve ka arritur në 25 dhe ky numër me siguri do të rritet”, shtoi demokrati i zgjedhur.
“Ka ende shumë njerëz për të cilët nuk kemi asnjë lajm dhe në këtë fushë, do të jetë e vështirë të japim një numër të saktë të personave të zhdukur”, tha ai për CNN.
Shirat e rrëmbyeshëm goditën pjesën lindore të shtetit rural gjatë mbrëmjes së mërkurës dhe ditës së enjte, duke i kthyer disa rrugë në lumenj dhe duke i detyruar banorët të strehohen në çatitë e shtëpive të tyre derisa prisnin ekipet e shpëtimit.