Përparim Rama mbërrin në Prokurorinë Speciale, pritet të intervistohet për projektin ‘Arkitekti i Kryeqytetit’

30 tetor 2026 | 13:32

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbërritur në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas raportimeve në media, Rama pritet të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Dyshimet kryesore rreth këtij projekti ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën e kontratës prej 12 milionë eurosh, si dhe pretendimet për manipulim të stafit dhe konflikt interesi.

Projekti, i iniciuar nga Komuna e Prishtinës nën udhëheqjen e Përparim Ramës, ka qenë në qendër të kritikave të opozitës dhe të opinionit publik.

Intervistimi i mundshëm i Ramës vjen vetëm disa ditë pasi zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LV) kanë paralajmëruar një arrestim të mundshëm të tij.

Paralajmërimi fillimisht është bërë nga deputeti i LV-së, Egzon Azemi.

“Përparim Rama… tik tak, tik tak…”, kishte shkruar ai në “Facebook”.

Ky paralajmërim ka ardhur menjëherë pas ndryshimeve në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale.

Më 2 tetor, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shkarkuar Blerim Isufajn, me gjashtë vota për dhe një kundër. Drejtimin e përkohshëm ia ka besuar prokurorit Dren Paca.

Mbledhja e jashtëzakonshme është zhvilluar me dyer të mbyllura, duke nxitur kundërshtime lidhur me transparencën e procesit.

KPK-ja e ka arsyetuar vendimin me keqmenaxhim, jokompetencë, mospërmbushje të detyrave dhe performancë të pamjaftueshme.

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj paralajmërimeve të zyrtarëve të LV-së, duke u bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime ndaj tij nga deputetë dhe asamblistë të kësaj partie.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas një fillimi mbresëlënës me Paris Saint-Germainin (PSG), sulmuesi spanjoll…