
Përse Qeveria e re e Izraelit duhet ta njohë Kosovën
Akri Çipa, njohës i çështjeve ndërkombëtare, me fokus në Ballkan dhe Lindje të Mesme, nëpërmjet një shkrimi editorial në prestigjiozen izraelite ‘The Jerusalem Post’ ka numëruar arsyet se pse qeveria e re izraelite duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Siç shkruan Çipa në editorialin e tij, Izraeli duhet të bëhet në mesin e 100 shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të krijojë partneritet diplomatik dhe ekonomik. Sipas tij, ajo çfarë i përbashkon Kosovën e Izraelin janë principet dhe vlerat, teksa sheh shpresë për një njohje diplomatike nga qeveria e re e kryesuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe zëvendëskryeministri i tij, Benjamin Gantz.
“Në fakt, ekzistojnë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim midis dy vendeve që mbeten të paeksploruara. Me popullsinë kryesisht të re, Kosova e sheh Izraelin si një model për t’u bërë ‘kombi fillestar’ i Ballkanit”, thuhet në shkrimin e publikuar në ‘The Jerusalem Post‘.
“Për më tepër, të dy vendet kanë të njëjtat vlera dhe parime. Ashtu si Izraeli, Kosova u themelua mbi vlerat universale të demokracisë, lirisë dhe shprehjes. Si shtet multifetar dhe multietnik, Kosova e shpalli pavarësinë për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë e të gjitha pakicave etnike dhe fetare”, shkruan tutje njohësi i çështjeve ndërkombëtare.
Ndër të tjera, eksperti i fushës së politikave të jashtme në Ballkan e në Lindje të Mesme vë në pah edhe përkrahjen e kombit izraelit në raport me fushatën e bombardimit të NATO-s. Siç edhe shprehet Çipa, “Fushata e NATO-s e udhëhequr nga SHBA-të, që i dha fund monstruozëve serb në Kosovë dhe i hapi rrugën pavarësisë së kësaj të fundit u përkrah shumë nga komunitetet hebraike në të gjithë botën, veçanërisht komuniteti hebre amerikan”.
Eksperti Çipa e sheh hiç më shumë sesa një mit prishjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Izraelit, në rast të njohjes së pavarësisë së Kosovës prej kësaj të fundit.
Editorialin e plotë mund ta gjeni në: https://www.jpost.com/opinion/the-new-israeli-government-should-finally-recognize-kosovo-629070