Përshpirtje për profesorin luftëtar

13 janar 2024 | 16:49

Shkruan: Ismail Syla

Sabaudin Cena e veshi uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kohë dhe hapësirë me precizitetin e shkencave të sakta. Drejt këtij akti të qëlluar e çoi formimi i mirë shpirtëror, ADN-ja atdhetare dhe guximi qytetar.
Sabaudin Cena e kuptoi dhe jetësoi faktin që historia ndodh vetëm një herë si shpërthim ose ndryshim gjithrrotullues dhe nuk u vonua, hyri brenda saj dhe u njëjtësua me të në vitet 1998 /1999. Dhe mbeti gjallë.
Biografët e Alelsandër Moisiut thonë se aktori i madh durrsak në skenat botërore luajti 1200 herë rolin e Hamletit. Hamleti është luajtur miliona herë dhe do të luhet, por të qenit ushtar lirie i kombit tënd luhet vetëm një herë.
Sabaudin Cena vërtetoi se si intelektuali patriot mund të dilet përtej skemës së iluminizmit kulturor dhe edukativ jugosllav gjatë periudhës 1968 – 1981, kur në frymën liberale autonomiste të Kosovës u krijua një shtresë e shpifur intelektuale.
Njëra nga pjesët më destruktive të kësaj kaste gjendet sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe tjetra gjithandej në institucione të ndryshme arsimore, kulturore, shtetërore etj.
Kjo shtresë ka jetuar, jeton dhe do të shkojë në botën tjetër me vulën e saj autentike, ishte pjellë e nevojave jugosllave dhe si fenomen e tillë do të mbyllet. E mendësia jugosllave ka pasur, ka dhe do të ketë armiqësi organike ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sabaudin Cena duke veshur uniformën e parë ushtarake në Kosovë, me amblemën shqip, me komandën shqip, me akronimin shqip UÇK, nderoi vetveten, i dha dimension intelektual luftës së Ushtrisë Çlirimtare, dhe në pjesën e mbeturtë jetës iu kthye zejës fillestare, punës në institucion edukativ.
Sabaudin Cena jetësoi më së miri vargun e Jorge Luis Borges-it: “Kushdo shqipton vargjet e Liliencroni-it ka hyrë në betejë”. Vargjet frymëzuese të poetit dhe romansierit gjerrman, baronit Detlev von Liliencron.
Sabaudin Cena vërtetoi plotësisht vargun e Himnit aktual shqiptar “Prej luftës veç ai largohet/ që është i lindur tradhëtor”. Nga lufta e vetme çlirimtare e Kosovës, Sabaudin Cena, jo vetëm që nuk u largua, por e bëri atë. Kush e shpjegon Naim Frashërin, kur vie çasti, hyn në betejë…
Dija është liri.

Dimensionin filozofik të këtij vargu të himnit kush e kuptoi më mirë se Sabaudin Cena dhe ata që me mish dhe shpirt u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse lufta për liri dhe arritja e saj është kryevepra e një populli, e një kombi të lirë.
Sabaudin Cena është vetë liria.

Shënim:
Kjo fjalë do të duhej të mbahej në akademinë e organizuar më rastin e njëvjetorit të vdekjes së profesorit Sabaudin Cena.
Nuk e di se ç’ ndodhi, por jam i sigurt që dje, më 12 janar oratorët do të kenë folur fjalë skematike, duke nunëruar tituj shkencorë, tituj librash të të ndjrrit Cena dhe fjalë të kota kortuazie.
Ky universitet, mjerisht mban emrin e një figure të nderuar politike dhe atdhetare, Ukshin Hoti.
Por për një gjë jam i sigurt: edhe po ju vu dryri nuk është fare humbje për shkencën e albanologjisë dhe aq më pak për dijen e përgjithshme, universale, dijen edukative metodike universitare.
Prishtinë, 13 janar 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka fituar edhe ndeshjen…