Personalizimi i institucioneve

17 janar 2019 | 10:54

Shkruan: Xhavit Haliti

Zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë kanë nxjerrë në pah një dukuri tepër të ngjashme: Në të dy shtetet ka një “përplasje” me karakter thellësisht politik në mes të presidentëve dhe kryeministrave aktualë. Janë katër figura politike konkrete, që kanë mes vete njohje miqësore të hershme, që janë pozicionuar në pozicione të ndryshme dhe e kanë filluar “një luftë verbale”. Aktorët e kësaj shfaqjeje, me efekte negative e shqetësuese për opinionin mbarëshqiptar në Ballkan e më gjerë, kanë emra konkretë dhe qëndrojnë në krye të institucioneve më të larta shtetërore në republikat tona parlamentare.

Në Kosovë dhe në Shqipëri është bërë evidente, gati njëkohësisht, kundërshtia edhe mediatike mes Presidentit dhe Kryeministrit. Arsyet e kësaj përballjeje mes tyre, që ndryshojnë në thelb nga njëra- tjetra, janë të njohura, siç mendoj se është i njohur edhe mospëlqimi i opinionit për gjuhën dhe epitetet e përdorura nga palët në këtë “përplasje”. Këto dukuri të ngjashme të “moskuptimeve dhe e mospajtimeve” mes figurave më të larta shtetërore në të dy vendet, dëshmojnë se: jo vetëm në Kosovë, (si shtet me moshë fare të re), por dhe në Shqipëri (shtet mbi njëqindvjeçar), ndërtimi i institucioneve, ndërveprimi i domosdoshëm në respekt të ligjit dhe në pushtet të ligjit, ende mungon. Edhe kur këto ekzistojnë faktikisht, (me Kushtetutë) shpesh dominohemi nga dukuri dhe veprime me rëndesë të ndjeshme autokratike.

Dihet që pluralizmi politik është fillesë dhe bazamenti i demokracisë. Krijimi, funksionimi dhe konkurrimi mes programeve partiake dhe fushatave elektorale, me ose pa aleanca, qojnë në marrjen e pushtetit përmes votës. Marrja e pushtetit është rezultat vetëm e vetëm i votës së elektoratit; pushteti shpërndahet dhe realizohet nga individë konkretë. Kjo dihet, kurdoherë politika vepruese është kompetencë dhe detyrim për t’u realizuar nga parti e nga individë. Por politika, sidomos materializimi i saj, është vështirë të realizohet sipas programeve, kur në realitet shpesh zbatohet vetautorësia nga këta individë që kanë marrë votën popullore.

Fenomeni i “autokracisë” që në shqip përkthehet “vetëpushtet” është një fenomen i njohur njerëzor. Uni, është i gjithëpushtetshëm për njeriun, që kur është ende fëmijë, por fuqizohet shumëfish në garën për pushtet. Uni, që bëhet inekzistent dhe nuk heziton të vetëflijohet për lirinë e vendit, për nderin apo dashurinë, ringrihet (për të mos thënë gërthet) kur i kërcënohet apo lëkundet pozita pushtetore. Personalizimi i pushtetit politik, i institucioneve të larta shtetërore apo dhe atij partiak, në realitetin aktual në Kosovë e në Shqipëri, në të dy anët e kufirit, jo vetëm po e “vret demokracinë”, por po dëmton rëndë ekzistencën e shtetit, funksionimin normal të tij dhe imazhin ndërkombëtar të dy shteteve tona sovrane në Evropë.

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turistët në një plazh në Kolumbi janë tmerruar kur panë…