Përurohen dy libra kushtuar Adem Demaçit

26 shkurt 2018 | 14:34

Me rastin e 82-vjetorit të lindjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, janë përuruar të hënën dy libra të Selatin Novosellës “Viti i Adem Demaçit” dhe “Demaçi njeri i lavdisë”.

Autori i librave, Selatin Novosella, ka thënë se ka pasur rastin të mbajë shumë përurime, por sipas tij, ky i fundit për Demaçin është përurimi më i kuptimshëm dhe më domethënës në jetën e tij.
Novosella ka theksuar se angazhimi i tij për këto libra ka qenë me shumë pasion, me shumë dashuri, me shumë konsideratë për Demaçin.

Ndërsa ish-kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Berat Luzha, ka paraqitur një pasqyrim të shkurtër të veprimtarive të shumta kulturore të organizuara në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit.

Në anën tjetër, Shyqeri Galica, përfaqësues i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ku Adem Demaci është kryetar nderi, ka thënë se personaliteti i bacës Adem pa asnjë dyshim është i veçantë me një spektër të gjerë trajtimesh e hulumtimesh, një figurë dramatike nga jeta e hershme e tij e deri në ditët e sotme me ide dhe pikëpamje tejet të veçanta, e mbase ndër më konstruktive në historinë e kombit shqiptarë.

Ndërkaq drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ka thënë se rëndësia e këtyre librave për Demaçin qëndron në faktin se janë bërë përpjekje të mëdha që të mblidhen në një vend të gjitha aktivitetet e vitit jubilar për Demaçin.

Në këtë promovim, organizatorët kanë lexuar mendimin e Pjetër Arbënorit, ish- kryetar i Kuvendit të Shqipërisë për veprimtarin Adem Demaçi. “Ju i dashur Adem jeni nga ata intelektualët dhe veprimtarët shqiptarë që tërë jetën ia keni kushtuar pa më të voglën rezervë idealit të shenjtë të lirisë. Keni mposhtur burgun gati 30-vjeçar brenda hekurave mbytës të shovinistëve serbo mëdhenj. Jeni kthyer në simbol të qëndresës, të ndershmërisë, dhe tash qëndrojë kryelartë në rreshtat e parë të rezistencës paqësore që populli heroik i Kosovës të fitojë hap pas hapi të drejtat e veta njerëzore e kombëtare dhe të bëjë realitet aspiratat e natyrshme për liri, pavarësi e bashkim kombëtar”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, ia ka uruar…