Përurohet baza ajrore e NATO-s në Shqipëri (foto)

04 mars 2024 | 13:35

Në Kuçovë të Shqipërisë më 4 mars u përurua baza ajrore taktike e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e para bazë e aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka thënë se baza në Kuçovë do të jetë një pikë strategjike në mbrojtjen e paqes dhe operacioneve të NATO-s.

“Gjithçka pritet nga fronti i lindjes. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur të mbrohemi me të vetmen formulë fituese në tavolinë: bashkimin e forcave dhe kapaciteteve tona mbrojtëse”, ka thënë Peleshi.

Ai po ashtu ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë, shtetit anëtar të NATO-s, që të vë në dispozicion të aleancës ushtarake perëndimore edhe portin në Durrës, Porto Romano, që siç ka thënë Peleshi, së bashku me “Korridorin 8”, që lidh Shqipërinë përmes rrugëve tokësore dhe hekurudhore me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, i siguron aleancës aksin më të shkurtër të kalimit nga brigjet e Detit Adriatik në Detin e Zi.

Punimet për rikonstruksionin e bazës në Kuçovë kishin nisur në janar të vitit 2022.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare.

Për autoritetet shqiptare përzgjedhja e bazës së Kuçovës lidhet sa me pozicionin gjeostrategjik të vendit, si dhe të vetë aeroportit, aq dhe me besueshmërinë që Shqipëria ka krijuar në gjirin e aleancës ushtarake.

Në ceremoninë inauguruese kanë marrë pjesë përfaqësues të aleancës, ministrat e Mbrojtjes së Turqisë dhe Italisë, përfaqësues të Ambasadës amerikane në Tiranë dhe ata të institucioneve shqiptare.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka theksuar se kjo bazë është një element tjetër i sigurisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor ” i cili e dimë mirë se është një rajon jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.

“Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës sonë ajrore. Dy helikopterët e rinj ‘Black Hawk’ si dhe dronët ‘Bayraktar’ janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë”, ka thënë Rama.

Ai ka thënë se po punohet me aleancën që sa më shpejt të bëhet gati edhe baza e re detare e NATO-s në Porto Romano.

May be an image of text that says 'UNITED'

Ndërsa  sipas presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në situatën globale, që ai ka thënë se është e paqëndrueshme, vendi duhet të jetë i gatshëm të mbrojë veten dhe të kontribuojë për aleancën.

“Baza e Kuçovës ka një mision mbrojtës dhe shkurajues, një qendër e rëndësishme për operacionet e NATO-s për të përballuar kërcënimet e sotme dhe të nesërme”, ka thënë presidenti Begaj.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i NATO-s, gjenerali Juan Pablo Sanchez De Lara, gjatë ceremonisë, ka thënë se Shqipëria është më e gatshme se kurrë që të marrë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, David Wisner, ndërkaq e ka konsideruar bazën në Kuçovë “arritje të madhe për sigurinë e rajonit”.

Përurimin e kësaj baze e ka mirëpritur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se kjo bazë e NATO-s do të kontribuojë në rritjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950.

May be an image of 2 people, aircraft and textMay be an image of 2 people and aircraftMay be an image of aircraft

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka marrë pjesë…