Përurohet lapidari kushtuar 17 martirëve nga Guri i Kuq

14 qershor 2020 | 17:22

Të dielën është bërë përurimi i lapidarit kushtuar 17 martirëve nga fshati Guri i Kuq të Rahovecit të rënë më 31 mars të vitit 1999.

“Jemi mbledhur sot, në oborrin e shkollës fillore në fshatin Guri i Kuq, mu në Ditën e Çlirimit të Rahovecit me rrethinë, të shpalosim një lapidar në kujtim të jetës dhe veprës së shtatëmbëdhjetë martirëve nga fshati Guri i Kuq, lapidar ky i cili na dëshmon neve dhe brezave pas nesh, se liria i ka rrënjët në gjak, atë kemi detyrim ta ruajmë, forcojmë, zgjerojmë e përparojmë, sepse, çmimin e lirisë e kanë paguar njerëzit e këtij vendi, me gjakun dhe jetën e tyre – dëshmorët dhe martirët”, ka thënë kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Ai ka shtuar se pushtuesi serb ka bërë krime dhe masakra të tmerrshme në këto troje, vetëm pse ishim shqiptarë dhe kishim të drejtë për lirinë tonë të shkelur nga Serbia.

“Krimet e shtetit serb janë të rënda dhe kurrë nuk plaken. Serbia zgjodhi mjetet më çnjerëzore për të vrarë: pleq, gra, të rinj e të reja, fëmijë e foshnje-nuk la mjet pa e përdorur për të ç’farosur shqiptarët nga trojet e veta. Dogji shtëpi e bagëti, vodhi e plaçkiti, dëboi e torturoi shqiptarët e paarmatosur. Në Pastasel u masakruan 106, e vetëm nga Guri i Kuq, nga Serbia dhe aparati i saj policor dhe ushtarak u vranë: shtatëmbëdhjetë (17) martirë, andaj këta emra të skalitur në këtë plllakë-lapidar janë historia më e re e përgjakshme e këtij populli. Ne kemi detyrim njerëzor e moral dhe që të mirëmbajmë e kultivojmë këto vlera, t’i ruajmë këto përmendore dhe të marrim mësim nga veprat e të rënëve për liri”, ka thënë kryetari Latifi.

Projekti i lapidarit është realizuar në bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Rahovecit dhe banorëve të fshatit.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Familja Krasniqi ka nevojë për ndihmë për shërimin e djalit…