Përurohet Palestra e Sportit në Deçan

20 tetor 2020 | 14:23

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, sot përuruan Palestrën Sportive në Deçan, e cila ka kapacitet mbi 1 500 ulëse, projekt i infrastrukturës fizike, në të cilin ka investuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa vlera e investimit është mbi dy milionë euro.

Image preview

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Hoti vlerësoi punën që është bërë për ndërtimin e këtij objekti sportiv i cili do të jetë në shërbim për sportistët deçanas.

Image preview

“Është kënaqësi dhe nder që bashkë me ministren Dumoshi dhe kryetarin Ramosaj të jemi në përurimin e kësaj salle të bukur, në këtë vend të bukur dhe në këtë ditë të bukur. Ministrja Dumoshi me entuziazëm po i çon përpara projektet, që pas shumë viteve prej sa ka filluar të ndërtohet kjo palestër dhe që ka kaluar shumë ministra të kulturës, rinisë dhe sportit, por është me interes që sot është kompletuar kjo sallë, e cila është e standardeve ndërkombëtare”, ka thënë kryeministri Hoti, duke kujtuar faktin se Deçani, Peja dhe kjo rrethinë ka shumë sportistë të cilët në shumë sporte e kanë bërë krenarë tërë Kosovën.

Duke uruar sportistët për përurimin e sallës së re, kryeministri Hoti ka deklaruar se, bashkë me kryetarin dhe ministren, sapo të kalojë situata e pandemisë, do të kthehen për të parë lojëra të bukura në këtë sallë.

Image preview

Ndërkaq, ministrja Dumoshi u shpreh se ndihet e lumtur që bashkë me kryeministrin Hoti dhe kryetarin Ramosaj po përurojnë sallën për të cilën është pritur shumë vite. Duke folur për programin e qeverisë, ministrja Dumoshi ka thënë se ndër prioritetet është zhvillimi i sportit dhe se vetëm në Deçan janë 18 projekte që MKRS-ja i përkrah. “Palestra është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare ku do të zhvillohen ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare, e kjo gjë flet shumë”, u shpreh ministrja Dumoshi.

Image preview

Ndërsa kryetari Ramosaj përmendi faktin se nuk ka pasur ndonjë ministër të sportit i cili ka vizituar më shpesh Deçanin sesa ministrja Dumoshi dhe se Deçani i shpreh mirënjohjen ministres. Ai ka shtuar se është një nder për Deçanin edhe prania e kryeministrit Hoti në këtë përurim. Kjo palestër ka nisur ndërtimin në vitin 2010.

 (Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkolla Fillore “Ali Kelmendi” dhe SHFMU “Andon Zako Çajupi” në…