Përurohet ura në Saradran të Istogut

03 dhjetor 2022 | 19:58

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të shoqëruar nga kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati, bënë përurimin e urës në Saradran dhe panë nga afër punimet në asfaltimin e rrugës “Lugu i Drinit”.

Kryeministri Kurti i uroi banorët dhe i falënderoi për mikpritjen e përzemërt në këtë rast të rëndësishëm për ta dhe për zhvillimin infrastrukturor për komunën e Istogut dhe komunën e Pejës.

“Jam këtu bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe Kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Feratin, që ta përurojmë këtë punë të përbashkët, që ka domethënie shumë të madhe për banorët e kësaj zone, por edhe të gjithë qytetarët, të cilët tash do të mund të lëvizin edhe lirshëm edhe më shpejt dhe më mire. Andaj, gjithë banorëve dhe të gjithë qytetarëve, urime rruga e re edhe ura e re”, u shpreh kryeministri Kurti.

Përurimi i sotëm ishte në kuadër të zbatimit të projektit të titulluar “Ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe bujqësore në Komunën e Istogut dhe Pejës”, i cili përpos urës lidhëse Saradran-Ruhot parasheh edhe:

– Ndërtimin e rrugës “Lugu i Drinit”, me gjatësi prej 970 metra

– Ndërtimin e rrugëve në Dubovë, me gjatësi prej 1.2 kilometrave

– Ndërtimin e kanalit të ujitjes në Prekallë, me gjatësi prej 1.7 kilometrave

– Rivitalizimin e pendës Saradran-Ruhot

Projekti është në përfundim e sipër dhe pritet të finalizohet brenda muajit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Pejës ishte qendra e radhës në të cilën…