Picasso dhe El Greco, dy shpirtra të ngjashëm të ndarë nga shekujt

07 korrik 2022 | 08:47

Gjatë gjithë karrierës, Picasso i kërkoi Mjeshtrit e Vjetër. Në kërkimin e tij për gjuhë avangarde është marrë me veprat e Velázquezit, Rembrandtit dhe El Grecos. “Arti i piktorëve të mëdhenj që jetojnë në kohë të tjera”, tha ai më 1923, “është më i gjallë sot se kurrë”, shkruan Kristina Foster për “The Financial Times”, transmeton Telegrafi.

Ekspozita “Picasso – El Greco” në Kunstmuseum të Bazelit, rishikon admirimin e Picassos për piktorët e mëdhenj të Rilindjes, veçanërisht obsesionin e tij të përjetshëm me një nga më të veçantët.

Por, si ndodhi që kjo figurë e shekullit XVI, që u lind në Kretë me emrin Domenikos Theotokopulos (i njohur në Spanjë si El Greco), të bëhet fanar për Picasson?

Në kohën kur Picasso lindi më 1881, pas disa shekujve në errësirë reputacioni i El Grecos po shkonte në rritje. Njihej si rebel që padiste klientët për paga më të larta dhe për humbjen e favoreve prej klientëve të mundshëm (më së shumti nga Filipi II i Spanjës) për shkak të riinterpretimeve të pazakonta të skenave fetare. El Greco atëherë nisi të njihej si shpirt ekspresionist.

Interesimi i Picassos për El Grekon lindi kur ishte student i artit në Madrid, në vitet 1890. Skicat e Picassos me fytyra të dobëta e me tipare të errëta dhe këndore, zbulojnë kënaqësinë e tij për atë që ai i quajti “të gjithë ata zotërinj me mjekër të mprehtë”. Por, studenti jo vetëm po imitonte; ai identifikohet me Mjeshtrin e Vjetër në një skicë të shkarravitur me fjalët “Yo El Greco” (“Unë, El Greco”).

Në vitin 1901, tragjedia e shtyu Picasson t’i drejtohej këtij mjeshtri të dramës emocionale. Skena e varrimit e pikturuar direkt pas vetëvrasjes së mikut të tij Carles Casagemas, i referohet drejtpërdrejt “Varrosjes së Kontit të Orgazit” të El Grecos (1586-88), në të cilën tabloja është e ndarë në seksione tokësore dhe qiellore. Kjo tablo nuk është në ekspozitë, por shohim të njëjtën teknikë këtu si te “Adhurimi i emrit të Jezusit” (c1577-79). Picasso imiton qiellin me re njëngjyrëshe, pa thellësinë e piktorit grek, por në vend të një grupi të engjëjve Parajsa imagjinohet si bordello plot gjallëri. Ajo që është e qartë është se, te El Greco, Picasso e gjeti një mjet për shprehje të lirë.

El Greco ishte burim krijues edhe kur Picasso u kthye drejt abstraksionit. Picasso dikur madje e përshkroi atë si “kubist në ndërtim”. Në të vërtetë, piktori i Rilindjes u shqua për shkëputjen nga perspektivat konvencionale. Ai vazhdoi të frymëzonte Picasson edhe në karrierën e tij të vonë, e cila është diskutuar më pak sesa ndikimi në veprat e mëparshme. Në ekspozitë hasim edhe te piktura e vitit 1967 “Musketari”, një figurë karikaturiste me kostumin e Rilindjes. Në anën e pasme ai ka shkruar “Domenico Theotocopulos van Rijn da Silva”, që është përzierje e emrave të tre heronjve të tij artistikë (El Greco, Rembrandt, Velázquez).

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Shqipërisë pritet ta votojë sot projektrezolutën e mazhorancës…