Plagjiatura në UP, Nagavci: Urgjentisht duhet të bëjmë ndryshime

05 gusht 2022 | 13:55

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se me shqetësim ka pranuar njoftimet për verifikim të rasteve të plagjiaturës nga ana e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës.

Ajo ka thënë se ndonëse plagjiatura konsiderohet si forma më e rëndë e shkeljes së etikës akademike, jam e vetëdijshme se trajtimi i denoncimeve për plagjiaturë nga organet përkatëse të institucioneve akademike është sfidues.

“Mirëpres shqyrtimin e rasteve nga Këshilli i Etikës të UP, por konsideroj se masat e shqiptuara të pezullimit nga mentorimi i punimeve të diplomës nuk janë adekuate, sepse nuk shpërfaqin gjykimin shoqëror në raport me praktikat e tilla brenda komunitetit akademik dhe nuk i dekurajojnë ato. Andaj pres nga organet përgjegjëse të Universitetit që t’i rishikojnë masat e shqiptuara nga Këshilli i Etikës, duke siguruar respektimin e standardeve të ndershmërisë akademike brenda institucionit”, ka thënë ajo.

Nagavci ka thënë se si ministre e Arsimit do t’i drejtohet Këshillit Drejtues të UP-së me kërkesë që të gjitha organet e universitetit t’i trajtojnë me seriozitet këto dhe rastet e ngjashme.

“Me Projektligjin e ri për arsimin e lartë, i cili së shpejti do të jetë në diskutim publik kemi paraparë masa të veçanta për parandalimin e të gjitha formave të cenimit të integritetit akademik, përmes formimit të Komitetit Etik në nivelin qendror, si dhe obligimit që të gjitha institucionet e arsimit të lartë të kenë këshilla të etikës. Po ashtu, Projektligji parasheh një afat të arsyeshëm brenda të cilit i gjithë personeli akademik duhet të jetë në gjendje t’i arsyetojë thirrjet akademike, në pajtim me standardet e përcaktuara me ligj”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo ka theksuar se gjendjen në Universitetin e Prishtinës nuk e kemi të mirë, dhe sipas saj, kjo është evidentuar së fundmi edhe në ranglistën prestigjioze “Webometrics”, sipas të cilës vazhdon rënia e UP-së në rangim.

“Kjo është e papranueshme dhe s’mund të vazhdojë. Urgjentisht duhet të bëjmë ndryshime që të përmirësojmë këtë gjendje. Stafi akademik duhet të jenë persona me integritet e kredibilitet të lartë profesional e personal. Andaj dhe angazhimi ynë për të përmirësuar këtë gjendje do të jetë këmbëngulës e pa hezitim”, është shprehur ministrja Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 70-vjeçar është gjetur i pajetë në plazhin e Divjakës.…