POETIKA E BASHOTËS

04 mars 2020 | 09:08

IBRAHIM BERISHA

 

Asgjë e ndarë: shpirti, dashuria, drita, fjala, dhimbja, ëndrra, fati, vetmia, jeta.

Kjo është poezia e Bashotës.

 

Shpirti: Poezia e Bashotës është përmasë e enigmës. Nuk është masë e dukshme që tregon marrëdhënien ndërmjet materies dhe shpirtit, për një çast, natyrisht thellësisht poetik, ajo zgjedh frymën lirike të vargjeve, që na shoqërojnë kudo me butësinë dhe dramaticitetin përjetues. Është nga poetët e veçantë që ndjen plotësisht arsyen e krijimit të mesazheve për botën që e kishte njohur dhe me të cilin kishte ndërtuar një marrëdhënie të papërfunduar. E fundja, poetët nuk përfundojnë asnjëherë vizatimin e kufirit të botës që ndan të kaluarën nga e tashmja dhe të tashmen nga e ardhmja. Këtë nuk e bënë poeti, edhe për arsye të mbajtjes së zgjuari një fushë të gjerë loje lirike, pasi lirizmi i tij është shpirtërorja e materializuar në të vetmin testament që ai e shkruan dhe kondenson. Kjo është fuqia për të transmetuar lutje. Nuk është kjo lutje ritual i zakonshëm që mbush ceremonitë në ditë të rëndomta, por është lutja për t’i harmonizuar subjektet emocionale, reale dhe joreale, në fjalët e zgjedhura që mund t’i qetësojnë të gjithë ata lexues, që do të jenë shfrytëzues të këtij testamenti poetik.

Shpirti dhe shpirtrat janë sa të munguar, po kaq edhe të pranishëm, një papërcaktim ky i pagjetur ndërmjet fajësisë dhe pafajësisë, dhe që mund të preket lehtë në një degë të ëndrrës që tashmë kaherë ia ka plasur vajit të papajtueshëm. Shpirti është shi i pashtershëm apo ëndërr e përhershme, apo edhe çelës i përhershëm i kyçjes së mërzisë së vyshkur. Prandaj, shpirti poetik i Bashotës ka melodinë e pëshpëritjes, që dëgjohet sado që nuk ka zë, apo lexohet sado që nuk ka shkronjë, si: Dashuri.

 

Dashuria: D e madhe e shtypit, që është në titullin e parë të ciklit për Dashurinë, nuk do të thotë se lexohet apo zbërthehet pikërisht, dashuria. Dashuria e poetit është dëshira, mund të jetë edhe deti, por mund edhe të jetë dielli që jep dritën e përhershme. Konceptet kozmike nuk ikin në hapësirën e moskuptimeve që krijojnë ato sa mendohet në të parë, veçmas për rruzullimin e tyre. Ato janë të afërta dhe të prekshme, madje edhe në lumturinë e domosdoshme, ekzistuese, Të Dyve. Lumturia nuk është Njëjëse, le të kuptohet nga poeti, por një prani e njërit të dashuruar më shumë se tjetri. Dashuria nuk lexohet në pëshpëritjet që krijojnë elementet dhe praktikat e zakonshme të kërkim-shijimit, duke u frikësuar nga humbja e përhershme, por ajo kuptohet si një arsye për të matur veten në peshoren e ujit. Lënda e ujit, materialja, pastaj zjarri, fjala, janë përbërsit ontologjikë të lirisë. Liria fshihet në njollat e durimit, të cilat mbajnë të pashpallura mëkatet, të cilat sado që që nuk thuhen, ato ruhen të paprekshme, qoftë edhe si puthje, ikje, mëshirë. Kjo do të jetë kështu, derisa fshehtësinë ta zbulojë rruzullimi i: Dritës.

 

Drita: Drita është një nga konceptet e rëndësishme, pothuajse, shumë të rëndësishme të poezisë së Bashotës. Kështu ka qenë edhe në vjershat dhe librat e mëparshëm të tij. Drita është përmbajtja e kozmologjisë së tij lirike që duket se e ndjek si hije nëpër vargje, por e vërteta, poeti e mban me vete, nuk i ndahet vetë, dhe ajo vetëm sa i jep flatër në ethet e krijimit. Kjo i përgjason hijes së bukurisë. Ta zëmë bukuria e Helenës, a nuk ishte e mjaftueshme për të nisur një luftë që do ta fundoste Mbretërinë e Trojës? Një këso bukurie është provokuese, duke bërë që në një ballafaqim të pabarabartë me të, poeti të shkruajë: Unë jam ai i vogli/ çdo ditë e më tepër. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për heqjen dorë për shkak të pafuqisë, por për mosnënshtrimin për t’i dhënë liri puthjes. Në fund të fundit, shumë pyetje nuk do të marrin asnjëherë përgjigje: A do të kishte më ditë, pasi ajo në fund të fundit është vetëm një puthje. Metaforike duket kjo kur thuhet, por e vërteta, është e domosdoshme, sepse pa të nuk do ta njihnim vetveten. Mund të jetë sall ofshamë, por duhet shpresuar në të duhurën përherë: Fjala.

 

Fjala: Fjala nuk është zë, as shkrim, as lëvizje. Është metafizikë, që mban brenda vetes, diç nga kujtimi dhe konfliktet e papërfunduara poetike: Unë me emrin si ai apo ai me emrin si unë. Është fjala për një emër që kapërcen thirrjen e fundit, domethënë, inkarnohet në trupin e mendimit dhe vetëzbulohet rastësisht, edhe kur nuk ka ndonjë vlerë, pra nuk i duhet askujt. Natyrisht, subjekti i panjohur zbulon se ka frikë edhe nga gjërat më të zakonshme, madje edhe nga mbyllja e një dritareje, prej nga mund të hyjë ëndrra e veshur me petkat e ngjashme me fletët e bardha të trëndafilit. Pra, fjala merr frymë edhe kur s’ka fjalë. Poeti Bashota edhe kur udhëton në rrugët e heshtjes, do të na shkund nga termekja se megjithatë dikush e meriton të jetë i lumtur në këtë botë. Është çasti kur fiken dritat dhe dashuria shkon pa e kuptuar se nuk është më. Atëherë pason: Dhimbja.

 

Dhimbja: Imazhi i një dite pa diell sikur e ngrys qiellin, e promovon melankolinë, duke kërkuar nëpër valët e trazuara arsyen, pse çmendet poeti. Apo pse ekziston përmasa e çmendisë së lumtur të poetëve. Leximi i kujdesshëm ofron përgjigjen: Poetët nuk çmenden, por poetët i çmendin. Lumturia është e dyanshme.

Lehtësia e kërkimit të sendeve të panjohura, por edhe të humbura kaherë, provokojnë arsyen e shkruesve dhe lexuesve, për të lundruar në skajet e kujtesës, por duke mos gjetur asgjë më shumë se mallin dhe dhimbjen. Përmasat e tyre janë tronditëse, pasi duke mos mundur të krijojnë komunikimin e zakonshëm, për shkak të gjuhës mistike dhe të palexueshme lehtë, ikja në ishullin e vetmisë, u krijon sado kjo ireale, mundësinë të marrin frymë sikur gjithë loja të jetë reale. Por nuk pushon shqetësimi asnjëherë. Prandaj, poeti na shkund me vargun dramatik: Ti mos vdis këtu atje nuk është askush. Ai këto fjalë ia rikujton vetvetes, sepse bota e tij nuk është në këtë çast asgjë më shumë se një thërrmijë e vetvetes së harruar. Por, poeti beson në ringjalljen e njerëzve të mirë. Sado ky besim edhe mund të jetë, vetëm: Ëndrra.

 

Ëndrra: Ëndrra në botën e poetit është komunikimi që mban në këmbë humbjen e papranuar, por reale. Nuk e pranon, por me mjeshtërinë e kujdesshme, e rikthen ta shohë me thellë dhe me plotësisht, pse askund nuk falet dhimbje për të gjallët. Kur asgjë nuk është e mjaftueshme, atëherë shfaqet konstrukti i një kurthi të qetë, një si ëndërr që vjen, dhe kur do të zgjidhet nyja e tij, ikën për t’u kthyer sërish. Humbja e vlerave humane shton metaforat e trishtimit, sikur është rasti me zënien e diellit pa asnjë dëshmitar. Kuptimi semantik apelon se derisa ngjyrat e errëta i duan njerëzit, atëherë nuk ka asnjë arsye të ketë fare dëshmitarë për të parë dhe për t’iu gëzuar lindjes së diellit. Çfarë mërzitje e bukur, thotë poeti. Prandaj, thirrja e tij është me tension maksimal, kuptohet, në suazat e lirikës së tij fine: Shpirt zgjohu nga gjumi edhe pak/të mos çmendemi/ pak nga pak. Asgjë e mjaftueshme, në këtë rast. Mbetet vetëm: Fati.

 

Fati: Fati nuk identifikon pritje, sikur që mund të mendohet zakonisht. Cikli për fatin është lidhja e subjektit me përvojat që bien në tokë, pa e pyetur askënd. Këto përvoja pjesëtohen edhe shndërrohen në afinitete personale, ndërsa njeriu duhet të përballet me dimra të acartë, ikjen e prekshme që në fund, shndërrohet në prekje të ikjes, duke plotësuar kështu pak nga pak rrathët e mëkateve. Rrethi i shtatë digjet nga brenda, domethënë, nuk mbetet më asgjë e paarritshme, sado që vetëm mendimet mund të duken ende si mahnitje të hareshme. Fati është i lidhur me shumë koncepte natyrore, njerëzore, shpezore, të cilat plotësojnë orbitin semiotik dhe estetik të komunikimit. Por, është e ditur, se ta zëmë, një autoportreti nuk i mjaftojnë vetëm sytë, as nuk është e mundur me jetu gjithmonë dashuria që është shumë dëshirë njerëzore. Në të tilla dëshira, ndërhyn idili i vetmisë, pra bota e habitur: Vetmia.

 

Vetmia: Vetmia nuk është personale. E gjerë dhe paarritshme plotësisht, ajo zë një kënd të qetë në këndin e shpirtit, por si mund të shpjegohet ajo e përmasës së detit, Vetmia e detit, me ofshamën e mëngjesit të dimërt. S’ka afërsi: i braktisur nuk rrëfen për valët dhe shikimin tragjik të njerëzve në breg, të cilët kanë pritjen si zemërim të përhershëm. Prandaj, në këtë cikël poeti sublimon këtë largim dhe afrim vetmie me vargjet: Të dua jetë/mjafton kjo përshpirtje/ për të vdekshmit. Në këtë rast, lexuesi gjendet në mesin e vetmisë, ku ëndrrat fiken, dritat fiken, zjarret fiken, por ndizen përmasat tejujore dhe ajrore të shpirtërores. Ky është kthimi në fillim të fillimit, te: Jeta.

 

Jeta: Jeta, thënë më së paku, është kuptimi i hershëm se asgjë në formë, nuk është në përpjesëtim të drejtë. Prandaj, nuk mund të jetë as dashuria. Por ajo megjithatë, mund të ndryshojë me xixëllimën që jep, kur shihet në pasqyrë dhe gjithë kjo nuk është vetëm ëndërr. Po, jeta është edhe përgjasim jo i vogël me ëndrrën, të cilën poeti Bashota, e cilëson si proces i krijimit të dhimbjes. Kjo gjason në enigmën e papërfunduar asnjëherë, kush i parë dhe kush i dytë. Poeti e thotë me gjuhë eksplicite: Asgjë më të fshehtë se jeta nuk ka/ vetëm vdekja është pak më e fshehtë. Prandaj, kjo dhimbje tejpersonale, më mirë thënë universale, nuk ka rëndësi, sepse duhet mësuar më vdekë me gjithë zemër. Në nëntekst, poeti na thotë: prandaj në çdo ditë të zakonshme duhet jetuar me gjithë zemër.

 

(Pasthënie e librit “Lutja e parë e shpirtit”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2020)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Talentet nga Kosova çdo herë e më shumë po mahnitin…