Policia bën thirrje për kujdes gjatë qarkullimit në trafik

07 prill 2019 | 15:38

Policia e Kosovës (PK) po vazhdon me aktivitete që kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve.

Njësitë policore, përveç pikave të kontrollit të automjeteve apo patrullimeve në lëvizje, janë duke u përqendruar në identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve të cilët rrezikojnë sigurinë në trafikun rrugor.

“Vetëm në muajin mars 2019 gjatë implementimit të planit ‘Kontrolli teknik i jashtëzakonshëm’, nga njësitë policore janë shqiptuar gjithsej 290 fletëparaqitje për kundërvajtje, për të cilat është konstatuar se mjetet janë teknikisht jo në rregull. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, posaçërisht i drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet fatale dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor”, është theksuar në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, policia ka njoftuar se në kuadër të fushëveprimit të saj ligjor që ka, do të aplikojë masa rigoroze ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I është dhënë lamtumira e fundit, ish-ushtares së UÇK-së, Fetnete…