Policia e Kosovës konfirmon rastin e vdekjes së 20 vjeçarit në Matiqan të Prishtinës
Policia e Kosovës ka konfirmuar lajmin që ka raportuar pak më herët Indeksonline, për vdekjen në rrethana të dyshimta të një personi rreth 20 vjeç.
“Rreth orës 18:00 është raportuar për një person të shtrirë në tokë në rrugën “Skender Matallari” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke ftuar aty edhe ekipën mjekësore dhe njësitë e tjera te nevojshme policore”, ka bërë të ditur për Indeksonline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Po ashtu, në vendngjarje është ftuar edhe prokurori i shtetit.
“Aktualisht policia rastin është duke e trajtuar si vdekje te dyshimtë dhe ka filluar një hetim lidhur me rrethanat qe karakterizojnë këtë ngjarje”, ka thënë Borovci.
Ai ka thënë se trupi i pajete është i një mashkulli rreth 20 vjeç dhe policia ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve te ekzaminimit dhe këqyrjes se vendit të ngjarjes, si dhe veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave te ngjarjes.



