Policia e Kosovës: Në veri u përdorën granata jugosllave, u përfshinë persona të dhunshëm

06 dhjetor 20:50

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për situatën në veri, shpërthimet dhe të shtënat e armëve që janë dëgjuar sot atje në zyrat e KQZ-së.

Me anë të një komunikate për media, Policia ka demantuar deklarimet e ardhura nga Beogradi, i cili fajëson Kosovën për ndërmarrjen e veprimeve të rrezikshme dhe të njëanshme.

“Këto deklarime nga zyra serbe kanë për qëllim dëmtimin dhe krijimin e narrativave përmes të cilave atakohet profesionalizmi, legjitimiteti dhe misioni kushtetues i PK-së për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik lidhur me zhvillimet e fundit në komunat e veriut të vendit njofton se publikimet e shkrimeve të cilat i referohen deklarimeve nga përfaqësues të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë janë të pavërteta dhe tendencioze, si dhe sqaron për opinionin publik dhe mediat me sa vijon:

Këto deklarime nga zyra serbe kanë për qëllim dëmtimin dhe krijimin e narrativave përmes të cilave atakohet profesionalizmi, legjitimiteti dhe misioni kushtetues i PK-së për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Grupet kriminale duke kryer veprime të kundërligjshme përmes të cilave cenojnë lirinë dhe sigurinë e qytetarëve tentojnë t’ia atribuojnë këto veprime njësive të rregullta të PK-së të cilat janë duke kryer detyrat e tyre me shumë përgjegjësi.

Njësitë policore të rendit publik kanë asistuar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të  kryerjes së detyrave dhe kompetencave të  tyre ligjore.

Të gjitha veprimet policore janë kryer në pajtim me ligjin në ofrimin e asistencës së kërkuar ndaj autoriteteve shtetërore të KQZ-së.

Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.

Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë.

Andaj, sigurojmë të gjithë qytetarët se situata e sigurisë në vend përfshirë edhe komunat në veri të vendit është stabile dhe ftojmë të gjithë qytetarët të jenë të qetë, të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, si dhe mos të bien pre e dezinformimit dhe deklarimeve tendencioze dhe të pavërteta.

Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është ndarë nga jeta intelektuali prizrenas, inxhinieri i hidroteknikës, Galip…