‘Policia e Kosovës s’ka të drejtë të jetë në veri’, Çollaku i PDK-së i kundërpërgjigjet Vuçiqit

12 dhjetor 2022 | 15:12

Që prej largimit të kryetarëve të komunave veriore nga postet e tyre dhe policisë që ka zhveshur uniformat, Beogradi është duke insistuar se policët e Kosovës nuk kanë të drejtë të shkojnë në veri.

Madje, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se nuk e ka fjalën për njësinë speciale, por për policë të rregullt. Në këtë rast, ai është thirrur në marrëveshjen e Brukselit. Por, ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bekim Çollaku e ka përgënjeshtruar këtë.

Aleksandër Vuçiqi, ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar së fundmi për shkak të sulmeve në Veri. Përveç kësaj, Vuçiq ka edhe një kërkesë tjetër.

Ai ka kërkuar largimin e Policisë së Kosovës nga veriu “në përputhje me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE që përcakton pëlqimin e kryetarëve serbë në zonë për këtë”.

Mirëpo, sipas ish-këshilltarit të Presidentit dhe ish-ministrit për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, Policia e Kosovës nuk ka asnjë kufizim në përmbushjen e detyrave operative në të gjithë territorin e Kosovës.

Këtë deklaratë të Vuçiqit, Çollaku e ka quajtur “trillim politik”, pasi ai ka vlerësuar se “janë irelevante në relacion me mandatin e qartë dhe kushtetues të institucioneve të sigurisë për të siguruar zbatimin e rendit dhe ligjit në territorin e Kosovës”

“Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës veprojnë në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Bazuar në këtë fakt, policia e shtetit të Kosovës nuk ka asnjë kufizim në përmbushjen e detyrave të tyre operative në gjithë territorin e Kosovës. Prandaj, për të siguruar zbatimin e rëndit dhe ligjit, në tërë territorin e Kosovës”,  ka thënë Çollaku për “Express”.

Ditëve të fundit në veri ka pasur tensione për shkak të zgjedhjeve që fillimisht ishin planifikuar të mbahen më 18 dhjetor, mirëpo më pas janë shtyrë për muajin prill të vitit 2023, me kërkesë të ndërkombëtarëve.

Policia e Kosovës (PK) të shtunën ka arrestuar Dejan Pantiq, ish-polic i PK-së, nën dyshimin se ka organizuar sulmet në zyrat e KKZ-së dhe ndaj personave zyrtarë të KQZ-së dhe Policisë së Kosovës.

Kjo është bërë arsye që serbët lokalë të vendosin barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjimnastet e Kosovës po vazhdojnë të kenë suksese në arenën…