Policia në Gjakovë ndërmerr masa për realizimin e planit operativ “Droni dhe alkooli”

04 maj 2026 | 11:19

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor, po vazhdon përpjekjet për rritjen e sigurisë së qytetarëve tanë në rrugë.

Në këtë kuadër, është përmbyllur me sukses plani operativ “Droni dhe Alkooli”, i cili ka pasur si qëllim parandalimin e rreziqeve dhe ndërgjegjësimin e pjesëmarrësve në trafik.

Ky plan u realizua falë përkushtimit të zyrtarëve policorë dhe përdorimit të pajisjeve teknologjike moderne, të cilat na ndihmojnë të krijojmë një mjedis më të sigurt për të gjithë.

Gjatë zbatimit të këtij plani, janë identifikuar rreth 410 kundërvajtje për të cilat janë shqiptuar gjoba të ndryshme bazuar në legjislacionin në fuqi ndërsa për raste specifike që paraqesin rrezik më të lartë, siç janë tejkalimet në vende të ndaluara dhe drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit, janë ndaluar si masë mbrojtëse 42 patentë shoferë.

“Këto masa synojnë mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe shmangien e aksidenteve të mundshme. Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor do të vazhdojë të jetë e pranishme në terren me të gjitha kapacitetet e saj. Ne ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të bashkëpunojnë, duke respektuar rregullat, në mënyrë që rrugët tona të jenë më të sigurta për secilin nga ne. Siguria juaj është prioriteti ynë i përbashkët”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar sërish kërkesën e…