Policia: Nuk hodhëm ne gaz lotsjellës, por protestuesit
Policia e Kosovës ka bërë me dije se nuk kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj veteranëve të UÇK-së të cilët janë duke protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës për rreth dy orë.
Në njoftimin e policisë është thënë sipas detyrës zyrtare, policia është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit dhe për objektet zyrtare.
“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, ka njoftuar policia.



