Politika e pandërgjegjshme, bizneset dhe qytetarët në pandemi

11 janar 2021 | 14:32

Burim Z. Gjaka

Virusi Covid-19 edhe përkundër faktit që ka bërë një vit prej shfaqjes së tij në Kinë, ende vazhdon ofensivën e tij duke sulmuar pa mëshirë qytetarët. Kohët e fundit po tregohet edhe më agresiv dhe në forma të ndryshme duke detyruar vendet më të fuqishme të mbyllen. E për habi vendi ynë në këtë kohë nuk ka bërë mbyllje dhe deri diku edhe numri i të infektuarve është në nivel jo të lartë. Kemi qëndruar edhe ne për shumë kohë të mbyllur, kemi humbur shumë qytetarë të dashur, kemi rënë ekonomikisht, kemi humbur shumë në arsim e shëndetësi mirëpo gjithmonë duke shpresuar se do ta tejkalojmë këtë sfidë dhe do ta mposhtim këtë armik të padukshëm. Tashmë shpresat për një fund kanë filluar të rriten për faktin se ka filluar vaksinimi i qytetarëve nëpër vende të tjera e që pritet të ndodhë edhe te ne, mirëpo tashmë këtu diçka ka filluar të shkoj keq.
Aleati dhe mbështetësi më i madh i virusit kohëve të fundit është bërë politika dhe liderët e pandërgjegjshëm të cilët në vend së ta bënin të kundërtën ata po kontribuojnë shumë në përhapjen e virusit, gjegjësisht humbjen e jetëve të më të dashurve tanë. Në çdo qytet dhe fshat ende pa filluar fushata zyrtarisht, shihen grumbuj qytetarësh pa respektuar as minimalisht masat anti-Covid dhe në mesin e tyre 2-3 zyrtarë politikë duke u premtuar “ndërtimin e urave” edhe në vendet ku nuk ka as përroska se le më lumenj. Kam harruar këto ditë kur kam parë së fundmi ndonjë lider politik me maskë. Me sjelle të tilla komplet të pandërgjegjshme, joetike dhe aspak normale po e shndërrojnë këtë kohë fushate në fushëbetejë për jetë a vdekje, e që për ndonjë grumbull votash po rrezikohen qindra jetëra njerëzish. Nëse pakëz pushtet paska rëndësi më shumë sesa jeta e qytetarëve atëherë edhe ai pushtet do të jetë i turpshëm dhe i padobishëm për qytetarët.
Këta politikanë pa shumë dallime, janë po ata të cilët për gati një vit mezi e miratuan një ligj për rimëkëmbje ekonomike, ndërsa komplet mandatin sa e kishin kanë miratuar vetëm katër ligje. Disa prej tyre hartuan edhe rregulla dhe vendime se si të sillemi në pandemi, ndërsa sot janë bërë shkelësit më të mëdhenj të atyre rregullave dhe vendimeve. Me mijëra qytetarë janë dënuar për mosbartje të maskës, me qindra biznese janë gjobitur për mosrespektim të kohës dhe distancës fizike në lokale, me dhjetëra apo qindra biznese janë mbyllur duke lënë shumë njerëz të papunë, duke ua kufizuar mundësinë e operimit po këta politikanë, ndërsa sot ndodhin këto sjellje të “gërditshme” nga ta. Fatkeqësisht në këto grumbullime shihen edhe ish-kryeministra e ish-ministra shëndetësie, nga të cilët qytetarët presin diçka tjetër, sepse pandemia ende nuk ka përfunduar. Ose ka përfunduar por ne qytetarët e rëndomtë nuk e kemi këtë informacion. Prandaj, politika e tillë tyre quhet “Politikë e pandërgjegjshme”.
Ata politikanë të cilët kanë ndaluar mbajtjen e dasmave dhe ceremonitë e tjera të familjeve me pretekstin e ruajtjes së shëndetit, tashmë në po ato lokale i grumbullojnë me qindra qytetarë, për një grusht vota. Gastronomët, këngëtarët, sportistët etj, sot më shumë se kurrë kanë arsye për ankesa dhe ngritje zëri, ngase këtu po përdoren ligje dhe vendime të dyfishta. Ku po mbesin policia, inspektorati dhe institucione tjera të cilët i mbysnin qytetarët duke i ndëshkuar për mosrespektim të masave anti-Covid, ndërsa tani as që duken fare. Pse duhet të mbyllen lokalet pas orës 20:00, ndërsa grumbullimet politike lejohen të mbahen gjatë tërë natës. A vlen vendimi për mosgrumbullim të më shumë se 5 personave edhe për këta liderë të pandërgjegjshëm, politik?
Mirëpo përveç neglizhencës dhe mosveprimit të institucioneve përgjegjëse, fajtorë kujdestarë në këtë proces mbeten edhe qytetarët. Nëse qytetarët nuk do të merrnin pjesë në këto grumbullime këta liderë politikë nuk do të kishin kë ta grumbullonin dhe do të mbeteshin duke shkarravitur vetëm nëpër studio televizive pa i dëgjuar askush. Vetëm një moment të mendojmë me kokën e ftoftë dhe grumbullimet mund t’i ndalim. Të mendojmë se nëse infektohet një familje shpenzimet për barna janë marramendëse dhe këta politikanë të cilët ishte dashur të sigurojnë deri më tani të gjitha barnat për nevojat e qytetarëve dhe nuk e kanë bërë, as që lodhen për shpenzimet tona. Dhe më e keqja nuk lodhen as kur vdesin njerëzit në mungesë të barnave apo kujdesit shëndetësor.
Prandaj të bëhemi bashkë të gjithë, të mos biem pre e tyre dhe të mos marrim pjesë në grumbullime të panevojshme dhe ta rrezikojmë shëndetin tonë dhe të familjeve tona. Secili le ta votoj atë që mendon se është më i miri, por mos të kontribuojmë ne në rritjen e numrit të viktimave nga virusi. Duke respektuar masat anti-Covit ne ia shkurtojmë jetën virusit, prandaj ta bëjmë këtë, sepse politika e pandërgjegjshme do të vazhdojë për aq kohë sa ne i japim mundësi.
Të dashur liderë politikë!
Edhe ju jeni vëllezër, motra dhe bashkëkombës tonë. Prandaj nëse i doni votat tona na e ruani shëndetin tonë dhe tuajin, sepse nuk e kemi luksin të humbim jetëra njerëzish, sidomos tashmë kur vaksina veçse ka filluar të shpërndahet anë e mbanë botës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Majlinda Kelmendi nuk ka arritur të kualifikohet në finalen e…