Politizimi i arsimit shkatërroi perspektivën e të rinjve në Kosovë!

04 tetor 2022 | 10:24

Shkruan: Safet Gërxhaliu

Një gjë mos të harrojmë ne si shoqëri, se gjatë okupimit serb të viteve ’90-ta ishte arsimi institucion kryesor që i dha formë rezistencës dhe shtetësisë së vendit tonë.

Nëse dikush është meritor për mbjelljen e mendësisë së shtetësisë së Kosovës, mendoj meritat i takojnë shkollës dhe për këtë do të duhej shoqëria jonë të ndihmojë shkollën duke filluar që ta trajtojë me dinjitet dhe duke i mundësuar punëtorëve arsimorë një të ardhur dinjitoze që edhe atyre t’u mundësohet të fokusohen vetëm në punën e shenjtë të tyre.

Është për t’u habitur se si një masë e gjerë e njerëzve në mediat sociale janë aq kundër grevës së institucioneve arsimore dhe kërkesave të tyre. Kritikat ndaj ish mësuesve janë për t’u çuditur e ndoshta edhe për t’u studiuar!?

Fillimisht nëse gjendja në arsim është jo e dëshiruar në Kosovë, atëherë kjo vjen së pari si pasojë e politikës së vendit ndaj arsimit dhe jo mësimdhënësve në shkolla (që mund të jenë bashkëpjesëmarrës por jo faktor decidiv). Futja e politikës në shkolla është ajo që ka degraduar shkollën prej nivelit më të ulët e deri në akademi, ku çdo pozitë vendimmarrëse është mbushur me militantë partiakë pa përgatitje adekuate dhe pa dëshirë për të bërë asnjë gjë.

Dhe kjo gjendje ka vazhduar prej 1999, dhe ne si popull as edhe një herë nuk kemi bërë as më të voglin veprim që të largojmë politiken nga shkolla por përkundrazi kemi vazhduar të jemi bashkëpjesëmarrës në shkatërrimin e gjithçkaje që ishte ndërtuar nga vitet 1970 e këtej, dhe për çudi gjithmonë kritika bie mbi mësimdhënësit. Kjo shoqëri asnjëherë nuk ka mundësuar që me të ardhurat e tyre, mësimdhënësve t’u mundësohet një jetë me dinjitet. Nëse do të ishte fjala për rritje të pagave të politikanëve askush seriozisht nuk do të interesohej ose nëse (këtyre ditëve) flitet për rritje të pagave të ushtrisë a policisë (që edhe për këtë kategori mendoj se duhet të kenë trajtim dinjitoz) prapë reagimi do të ishte se është e arsyeshme por nëse është fjala për shkolla atëherë të gjithë vetëm bëjnë me gisht dhe kritikojnë dhe fajësojnë!

Për mua e gjithë kjo është paradoks në veti, sepse të gjithë pajtohemi se e ardhmja e vendit është në edukimin e saj e rrjedhimisht shkollat do të duhet të na dërgojnë në këtë të ardhme të ëndërruar.

Investimi në arsim është garanci e ardhmërisë dhe e rezistencës si shtet dhe shoqëri.

Një popull i edukuar shumë lehtë mund të menaxhohet por shumë vështirë mund të okupohet!

Sot arsimi në Kosovë dhe politizimi që e shkatërrojë arsimin është mu ashtu siç iu konvenon dhe e kanë kërkuar armiqt shekullor të Kombit!

Po varroset vlera që po e forcon antivleren, dhe kur një shoqëri dominohet nga antivlera nuk duhet të na habit fakti që po na pret një katastrof demokratike që është humbja më e madhe!

Le të jetë dialogu dhe kultura e komunikimit arma ma e fuqishme e zgjedhjes së paqartësive dhe paknaqësive në mes MASHTI-t dhe Sindikateve të Arsimit e jo injoranca dhe arroganca të dominojë në këtë relacion!

Në këtë dalog nuk duhet të jetë fitues as MASHTI e as Sindikata, por le të fitoj progresi dhe arsimi i Republikës së Kosovës.
Nuk ka sgjë më të rrezikshme sesa injoranca në veprim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se komunat, si…