Pompeo përgëzon Thaçin për hartimin e listës së të përfshirëve në akte terroriste

30 qershor 2019 | 12:49

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, nëpërmjet një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”, ka përgëzuar vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për krijimin e listës vendore të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Republikës së Kosovës.

Pompeo ka theksuar se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin emërtimin e Hezbollahut si organizatë terroriste nga autoritetet e Kosovës dhe bëri thirrje që të gjithë t’i bashkohen kësaj iniciative.

“Hezbollahu me mbështetje të Iranit vazhdon të organizojë sulme në Evropë. I ftoj të gjithë t’i bashkohen Kosovës dhe të ndalin këtë grup terrorist për të financuar operacionet e përgjakshme”, ka shkruar Pompeo.

Thaçi, ditë më parë tha se deri në krijimin e listës vendore, institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës do ta zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, e cila është rifreskuar më 8 janar 2019.

Siç thuhej në njoftimin e presidencës, Republika e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë për eliminimin e çfarëdo rreziku që i kanoset Kosovës dhe partnerëve të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja Albana Azizi gjatë kësaj jave ka publikuar këngën më…