“Popullsia e Kosovës po zvogëlohet”, Mediat e huaja: Pasojat e eksodit në Perëndim, vendi humbi 300,000 banorë

26 maj 2024 | 17:30

Rezultati paraprak i regjistrimit të popullsisë së Kosovës iu ka bërë përshtypje edhe mediave boshnjake e zvicerane.

Popullsia e Kosovës po zvogëlohet, tregojnë rezultatet paraprake”, është titulli i gazetës zvicerane, Le Matin. Ndërkaq mediumi boshnjak, Klix.ba, shkruan në titull: “Pasojat e eksodit në Perëndim: Kosova humbi 300,000 banorë në 20 vjet”.

Të premten ka përfunduar regjistrimi i parë kombëtar i popullsisë së Kosovës që nga viti 2011, njoftoi të shtunën Agjencia Kombëtare e Statistikave.

Popullsia e Kosovës ka rënë nga 1.8 në 1.5 milion njerëz në më shumë se një dekadë, sipas rezultateve preliminare të regjistrimit që përfundoi të premten, njoftoi të shtunën Agjencia Kombëtare e Statistikave (ASK), shkruan gazeta zvicerane.

Parashikimet fillestare tregojnë se Kosova ka më shumë se 1.5 milionë banorë, tha për gazetarët drejtori i ASK-së, Avni Kastrati. Shqiptarët etnikë përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë, por në veri të vendit serbët etnikë janë shumicë në katër komuna.

Tensioni është rritur kohët e fundit në vend midis dy komuniteteve, veçanërisht për shkak të zbatimit të një ligji të ri të diskutueshëm në shkurt, i cili e bëri euron mjetin e vetëm ligjor në Kosovë, duke ndaluar efektivisht dinarin serb. Lëvizja bëri që partia më e madhe serbe e Kosovës, Lista Serbe, të nxiste përkrahësit e saj që ta bojkotojnë regjistrimin, përcjell Express.

Zyrtarët e regjistrimit thanë se nuk do të ishin në gjendje të konfirmonin një bojkot të mundshëm nga serbët, popullsia e të cilëve llogaritet në rreth 100,000, derisa të përpunoheshin të gjitha të dhënat e mbledhura. Megjithatë, ata nuk e përjashtuan këtë mundësi, sepse mbikëqyrësit serbë dhe regjistruesit përgjegjës për veriun dhanë dorëheqje një ditë pas fillimit të regjistrimit.

Klix, ndërkaq, shkruan se popullsia e Kosovës është zvogëluar ndjeshëm në dekadën e fundit, sipas rezultateve paraprake të regjistrimit kombëtar të vendit, megjithëse numri mund të jetë anuar nga bojkoti i pakicës serbe.

Regjistrimet janë çështje delikate në shumë vende të Ballkanit, ku rënia e lindjeve, migrimi masiv dhe tensionet etnike minojnë përpjekjet për të marrë të dhëna të sakta për popullsinë, shkruan mediumi boshnjak.

Eksodi masiv ndodhi për shkak të kërkimit të punës jashtë vendit, dhe popullsia shkoi kryesisht në vendet e Bashkimit Europian.

Shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së Kosovës, por serbët janë shumicë në katër komuna në veri.

Në vitin 2011, numri i popullsisë ishte 1.8 milionë banorë, me 93% shqiptarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shtëpi është përfshirë nga zjarri gjatë ditës së sotme…