Posta e Kosovës kërkon nga Qeveria që ta shlyej borxhin prej 5 milionë euro

27 gusht 2018 | 12:00

Menaxhmenti i Postës së Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se i është drejtuar javën e kaluar me një shkresë Qeverisë së Kosovës që në përputhje me ligjin ta shlyejë sa më shpejt borxhin në vlerë prej 5 milionë euro.

“Ky borxh është krijuar për shkak se Qeveria nuk ka rimbursuar humbjet që ka pësuar posta gjatë ofrimit të shërbimit universal postar nga viti 2013 e deri më sot. Këtë shërbim posta është e obliguar ta kryej në tërë territorin e Kosovës, pavarësisht humbjeve, ndërkaq Qeveria është e obliguar me ligj të mbulojë humbjet financiare. Gjatë ofrimit të këtij shërbimi, Posta e Kosovës ka krijuar më shumë shpenzime se sa të hyra për shkak të tarifave të ulëta për të dërguar dërgesat. Letra e thjesht për 0.40 euro duhet të dërgohet në fshatrat më të thella të Kosovës. Mbulimin e humbjeve prej 4,947,097.18 euro ndërmarrja publike Posta e Kosovës është duke e kërkuar nga Qeveria për vite me radhë”, thuhet në komunikatën e Postës së Kosovës.

Më tej përmes kësaj komunikate menaxhmenti i Postës së Kosovës ka njoftuar se humbjet financiare në shërbimin universal postar janë konfirmuar edhe nga organe kompetente siç janë përmbaruesi privat, Gjykata Themelore në Prishtinë, Auditori i Jashtëm si dhe ARKEP (Autoriteti Rregullativ i Komunikimit Elektronik dhe Postar).

“Mosmbulimi i këtij shërbimi do të vë Postën e Kosovës në situatë të papërballueshme financiare ku nuk do të mund të bëhet ekzekutimi i pagave për punonjësit si një obligim ligjor, si dhe do të shkaktoi probleme serioze edhe në operimin normal të ndërmarrjes. Posta ka kërkuar nga Qeveria që brenda muajit gusht të shlyej borxhin ndaj Postës sepse nuk ekziston asnjë arsye për zvarritje të mëtejme”, është theksuar në komunikatën e Postës së Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur mbledhjen…