Presidenca: Është keqpërdorur numri personal i Ilir Metës, do të kërkohet hetim ndërkombëtar
Presidenca ka akuzuar sot se është keqpërdorur numri i telefonit të presidentit Ilir Meta, duke u dërguar mesazhe qytetarëve sikur të ishte presidenti.
Zëdhënësi Tedi Blushi ka bërë me dije se për këtë rast do kërkohet hetim ndërkombëtar.
“Në emër të presidentit të Republikës, dënojmë me forcë keqpërdorimin e numrit personal të presidentit Ilir Meta. Duke ju kërkuar ndjesë për të gjithë qytetarëve që kanë marrë mesazhe të tilla, u kërkojmë që të na lajmërojnë menjëherë. Nëse institucionet do të ishin funksionale, sot askush nuk do të guxinte të bënte gjëra të tilla të çmendura. Falenderojmë ish-kryebashkiakun e Beratit Petrit Sinën, Leftër Maliqin dhe shumë të tjerë që na kanë informuar lidhur me këtë skandal. Edhe njëherë ju kërkojmë ndjesë për shqetësimet që ju janë krijuar nga mesazhe të tilla që kanë përgjegjës vetëm Rilindjen. Rrëmbeu të dhënat personale dhe po i keqpërdor. Kur guxojnë të keqpërdorin numrin personal të Presidentit të Republikës, imagjino ç’mund të bëjnë me të tjerët”, ka thënë Tedi Blushi.



