Presidenti Ademi kujton ndeshjen Kosova – Haiti që hapi kapitullin e ri për futbollin e Kosovës

05 mars 2024 | 12:37

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka shkruar në “Facebook” se 5 marsi është një datë që në historinë e futbollit të Kosovës shënon një kapitull të pazëvendësueshëm, një rrugëtim triumfal që nisi me ndeshjen e parë miqësore nën patronatin e FIFA-s për Kombëtaren e Kosovës.

“Një dekadë nga ndeshja Kosova – Haiti që hapi kapitullin e ri”, ka shkruar ai.

“Ajo nuk ishte thjesht vetëm një sfidë sportive, por një shpërthim i emocioneve dhe një manifestim i vullnetit të padiskutueshëm për njohje ndërkombëtare dhe paraprijëse e anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Më 5 mars 2014, stadiumi Olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë u mbush me përplot shikues, të cilët krijuan një atmosferë të pashoqe, duke thirrur për një anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në dy institucionet e futbollit ndërkombëtar. Ndeshja kundër Haitit nuk ishte vetëm një konfrontim sportiv; ishte një dëshmi e fuqishme se Kosova ishte gati dhe e meritonte të ndihej e barabartë në skenën ndërkombëtare të futbollit, për t’i dhënë fund izolimit të padrejtë për më shumë se dy dekada”, ka shkruar presidenti Ademi.

Ai ka theksuar se pas ndeshjes së parë nën patronatin e FIFA-s, rrugëtimi i Kosovës në futboll u bë një histori e suksesit, pasi në maj të 2016 u pranua në UEFA e FIFA.

“Nga 72 ndeshjet zyrtare dhe miqësore nga ajo kohë, Kombëtarja e Kosovës ka realizuar 25 fitore, 18 barazime dhe 29 humbje, derisa FFK ka krijuar të gjitha ekipet zinxhir të kombëtares në të dyja konkurrencat. Kombëtarja e Kosovës sivjet do të luajë në Ligën C të Ligës së Kombeve, ndërsa ëndrra madhore mbetet kualifikimi në Kampionatin Evropian dhe Kupën Botërore”.

“Rrugëtim të suksesshëm ka pasur edhe Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave (e cila tani është promovuar në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe ka një seri prej 14 ndeshjeve pa humbje), por edhe ekipet tjera zinxhir. Në këtë ditë, kthehemi në retrospektivë për të falënderuar çdo futbollist, trajner, drejtues klubesh, donator dhe punonjës sportiv që kanë dhënë kontributin e tyre me pasion dhe përkushtim për futbollin e Kosovës. Ata kanë mbajtur gjallë shpresën dhe krenarinë në çdo zemër kosovare në periudhën më të vështirë. E tani është koha që të gjithë bashkë të kontribuojmë për suksesin e shumëpritur. Forca Kosovë!”, ka shkruar presidenti i FFK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka…