Presidenti Ademi takon sekretaren e përgjithshme të FIFA-s
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është takuar të premten me sekretaren e përgjithshme të FIFA-s, Fatma Samoura, në Sydney, përpara fillimit të Konventës së FIFA-s.
Në takim është diskutuar në veçanti për zhvillimin e futbollit të femrave. Presidenti Ademi ka përgëzuar FIFA-n për organizimin e shkëlqyeshëm të Kupës së Botës për femra në Zelandë dhe Australi. Ai ka vlerësuar përkrahjen që kjo organizatë ka dhënë për avancimin e futbollit të femrave në nivel global.
Në këtë takim, kreu i FFK-së e ka njoftuar sekretaren Samoura me projektet e suksesshme të zhvilluara në Kosovë për promovimin dhe rritjen e cilësisë së futbollit të femrave.
Ndërkohë, në Konventën e FIFA-s krahas presidentit Ademi, në cilësi të delegatëve janë duke marrë pjesë edhe Taulant Hodaj dhe Sanije Krasniqi. Kjo ngjarje shërben si platformë për të diskutuar dhe shkëmbyer idetë për të avancuar më tej futbollin e femrave në nivel ndërkombëtar.