Presidenti Ilir Meta dekoron atdhetarët Avdi Kelmendi dhe Rrustem Bruçi

27 korrik 2021 | 17:21

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekoruar dy heronj të Kosovës, Avdi Kelmendin dhe Rrustem Bruçin pas vdekjes për kontributin e tyre në luftën për çlirim.  Meta ka thënë  se dy veprimtarët i përkasin dy periudhave të ndryshme, por kishin qëllim të përbashkët pavarësinë, lirinë dhe lartësimin e kombit shqiptar.

“Është në nderin tonë, që me vlerësimin që u bëjmë figurave të nderuara të kombit, të edukojmë me patriotizëm gjeneratat e ardhshme për mbrojtjen e Atdheut, sovranitetit dhe pavarësisë”, ka shkruar Meta.

Postimi i plotë i Presidentit Meta:

??❤️?? Historia e lavdishme, sakrificat sublime të bijave dhe bijve më të mirë për mbrojtjen e gjuhës, flamurit kombëtar, lirisë dhe pavarësisë, si dhe sukseset e sotme të shtetit të Kosovës i bëjnë nder dhe i japin krenari të gjithë kombit.

Kontribut të shquar për lartësimin e vlerave dhe çështjes shqiptare kanë dhënë edhe dy personalitete të paharruara të Kosovës, Profesor Avdi Kelmendi dhe Komandant Rrustem Bruçi, të cilët pata sot privilegjin t’i vlerësoj me tituj të lartë.

Prof.Avdi Kelmendi, një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1968 në Lipjan dhe rrethina, u burgos, u persekutua dhe u torturua, por asnjëherë nuk u dorëzua për t’i edukuar brezat e rinj me dashurinë për gjuhën shqipe, flamurin kombëtar dhe Shqipërinë.

Komandant Rrustem Bruçi, që në ditët e para iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizoi dhe përgatiti luftëtaret e lirisë, për të rënë Dëshmor në betejën e Loxhës.

Është në nderin tonë, që me vlerësimin që u bëjmë figurave të nderuara të kombit, të edukojmë me patriotizëm gjeneratat e ardhshme për mbrojtjen e Atdheut, sovranitetit dhe pavarësisë.

Lavdi Dëshmorëve të Kombit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri i Kosovës, Aro Muriç do të luajë sezonin tjetër…