Presidenti Meta nuk e dekreton Sandër Lleshin

03 nëntor 2018 | 22:27

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nuk ka pranuar të dekretojë Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm në Qeverinë e Ramës.

Kërkesën për dekretim Meta e mori që të premten e kaluar, por vetëm pesë orë para përfundimit të afatit kushtetues, zëdhënësi i Metës ka njoftuar përmes një mesazhi të shkurtër se “Presidenti Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm”.

Edhe pse Kushtetuta nuk i linte asnjë hapësirë Presidentit për t’u shprehur kundër apo për të rrëzuar kandidaturën, Presidenti vendosi që përmes zëdhënësit të tij të refuzojë propozimin e Kryemininistrit, duke shënuar në këtë mënyrë precedentin e parë që një kryetar shteti nuk shprehet pro propozimit të Kryeministrit për një ministër.

Edhe pse për shkarkimin e Fatmir Xhafës, Ilir Meta nuk mori shumë kohë, për refuzimin e Sandër Lleshit ai respektoi afatin shtatëditor të përcaktuar nga Kushtetuta.

Neni 98 i Kushtetutës, pika 1, thekson se ministri emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i shtetit me propozim nga kryeministri brenda 7 ditëve, duke mos i lënë hapësirë për refuzim, por Ilir Meta vendosi që të mos firmosë propozimin e kryeministri Edi Rama, por nuk dha asnjë arsye për vendimin e tij negativ.

Por, çfarë ndodh pas këtij vendimi ende nuk është e qartë. Në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të shprehej, situata komplikohet. Ndërkohë, zgjidhja e parë është që Ministria e Brendshme të vijojë të drejtohet nga zëvendësministrat.

“Top Channel” ka pyetur edhe burime pranë mazhorancës, të cilat thanë se ende nuk ka një zgjidhje të situatës së krijuar. Presidenti Meta nuk dha asnjë shpjegim se çfarë nuk e bindi për Lleshin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Magjistralja Prishtinë –  Pejë rreth 3 orë ka mbetur e…