Presidenti Meta takoi studentët e kolegjit AAB

10 qershor 2019 | 17:43

Në 141-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në prag të kremtimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në një takim një grup studentësh e profesorësh nga të gjitha trevat shqiptare, të kolegjit AAB nga Prishtina.

Presidenti Meta, u ka thënë studentëve se rinia duhet të jetë promotore e proceseve demokratike dhe integruese në të dy vendet tona dhe se është shumë e rëndësishme që Shqipëria e Kosova të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat, njofton Klan Kosova.

“Është tejet i rëndësishëm, arsimimi, edukimi dhe formimi i të rinjve me sa më shumë aftësi, por njëkohësisht edhe demokratizimi i shoqërive tona, rritja e besimit që ato standarde evropiane t’ i kemi në vendet tona, sepse kemi një avantazh shumë të madh krahasuar me vendet e zhvilluara të Evropës, sepse kemi shumë rini”, ka thënë Meta.

Ai ka theksuar se të rinjtë e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë shumë punë për të bërë drejt krijimit të një shteti më funksional për Kosovën dhe Shqipërinë.

Ndërsa, rektori i kolegjit AAB, Lulzim Tafa, ka thënë se ky kolegj me angazhimin e tij tashmë 18-vjeçar është duke kontribuuar në arsimimin e studentëve të të gjitha trevave shqiptare pa dallime.

Tafa ka njoftuar presidentin Meta për veprimtarinë e kolegjit AAB, duke theksuar se Shqipëria vazhdon të mbetet dashuria e madhe e Kosovës.

Edhe studentët pjesëmarrës e kanë vlerësuar lart këtë takim me presidentin Meta. Ata e kanë ftuar presidentin Meta që ta vizitojë kolegjin AAB.

Presidentit Meta, në emër të studentëve dhe stafit akademik, i është dhuruar simboli i Prishtinës “Hyjnesha në fron”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Granit Xhaka nuk do të largohet nga Arsenali në afatin…