Presidenti Thaçi: Rugova ishte njeri i dialogut

24 maj 2018 | 13:57

Pavarësia e Kosovës nuk ka ardhur si aksident politik, por është fituar me vetëflijim, ku një rol të madh e ka pasur edhe ish-presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova.

Kështu ka thënë presidenti Hashim Thaçi me rastin e Ditës së Presidentit të Kosovës, ku Muzeu i Kosovës ka hapur ekspozitën “Kontributi i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës”, me bashkautorë Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci.

Thaçi ka thënë se presidenti Rugova ishte njeri i dialogut dhe me vizion për të ardhmen.

“Ai bëri bashkë politikanë, ushtarakë, gra dhe burra me qëllim që këtij populli liridashës dhe kryengritës t’i jepet e drejta për të qenë të lirë dhe për të pasur shtetin e vet. Duke qenë bashkë në emër të Kosovës arritëm përkrahjen dhe mbështetjen për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Bashkë kemi qenë në Rambuje dhe në të gjitha aktivitetet e pastajme”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, ka bërë thirrje për forcimin e shtetit dhe ekonomisë së vendit tonë.

“Rezistenca paqësore që është bërë 10 vjet të cilën e ka udhëhequr Rugova e ka përgatitur shtratin e pavarësisë. Sot dua të bëj apel për të forcuar shtetin e së drejtës me një ekonomi solide. Kemi punë akoma me Serbinë”, ka thënë Bukoshi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ka bërë me dije se partia…