Presidentja dhe ish-presidentët nderojnë Rugovën në ditën e tij

24 maj 2021 | 10:03

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me rastin e shënimit të 24 majit – Ditës së Presidentit do të nderojë ish-presidentin historik, Ibrahim Rugova.

Osmani bashkë me ish-presidentët, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe ish-presidenten Atifete Jahjaga vendosën lule tek shtatorja e ish-presidentit Rugova në sheshin që mbanë emrin e tij në kryeqytet.

Presidentja Osmani në nderim të Rugovës zgjodhi fjalët më të veçanta për të teksa tha se është arkitekti i shtetit tonë.

“Sot është Dita e Presidentit e shpallur si e tillë nga presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova prandaj sot jam e nderuar që së bashku me ish-presidentët e filluam ditën duke e nderuar arkitektin e shtetit tonë, njeriun e cili e bëri bashkë popullin e Kosovës në mënyrë që të artikulohet qartë vullneti ynë për liri dhe pavarësi të vendin tonë”, u shpreh Osmani.

“24 Maji është ditë e rëndësishme sepse afërsisht rreth tri dekada më herët qytetarët e Kosovës masivisht treguan se cili ishte vullneti i tyre, treguan se nuk do të ketë asgjë që do të mund t’i ndalë në rrugën e tyre të drejtë për shtet të pavarur”.

“Duke marrë për bazë se ishin zgjedhjet e para ku shqiptarët e Kosovës merrnin pjesë aq masivisht dhe i themeluan institucionet e tyre nëpërmjet vullnetit të lirë – presidenti Rugova pikërisht 24 Majin e shpalli si Ditën e Presidentit. Kjo ditë na e kujton jo vetëm historinë por edhe të sotmen dhe rëndësinë e një institucioni të tillë në përfaqësimin e unitetit të popullit”, tha mes tjerash presidentja Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Programi i…