Presidentja Osmani: Krahas kujtimit për martirët, zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë mbetet përkushtim i çdoditshëm

29 mars 2024 | 11:36

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me rastin e shënimit të 25-vjetorit të masakrës së Belegut, ku forca policore, ushtarake dhe paramilitare serbe vranë dhe masakruan 46 shqiptarë.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga Zyra e Presidencës, Osmani ka thënë se fati i një pjesë të të zhdukurve me dhunë, mbetet ende i pazbardhur, ndaj krahas kujtimit për martirët, zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë mbetet përkushtim i çdoditshëm.

“Fati i një pjesë të të zhdukurve me dhunë, mbetet ende i pazbardhur, ndaj krahas kujtimit për martirët, zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë mbetet përkushtim i çdoditshëm.

Në të njëjtën  ditë dhe në të njëjtën mënyrë u vranë shqiptarë edhe në lagjen Bair të Mitrovicës, në Dumnicë të Vushtrrisë dhe në Poterq të Klinës.

Qoftë i përhershëm kujtimi për gjithë të rënët për liri!”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, masakra e Belegut është njëra prej masakrave më të mëdha të kryera nga forcat paramilitare serbe, të cilët më 1999 filluan një ofensivë të egër ndaj popullatës së Irzniqit dhe Belegut, një ditë pasi ata pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Edhe sot e kësaj ditë fati i 33 të pagjeturve të këtij fshati dhe fshatrave të tjera të Deçanit mbetet i pazgjidhur.

Ndonëse ekipe të hetuesisë, së pari nga UNMIK, pastaj edhe EULEX, ishin marrë me rastin, duke mbledhur dëshmi të shumta, deklarata të dëshmitarëve të drejtpërdrejt të prezantuara edhe në Tribunalin e Hagës, por edhe autopsinë e bërë të kufomave të krimit, deri më tash askush nuk është arrestuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fitorja e dyfishtë në garën e Australisë ka rikthyer entuziazmin…