Presidentja Osmani me mesazh emocionues para ndeshjes së Kosovës ndaj Turqisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me një mesazh motivues para ndeshjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë, e cila zhvillohet sonte nga ora 20:45.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani ka theksuar rrugëtimin e vështirë të Kosovës si shtet dhe si komb, duke e lidhur atë me paraqitjen e “Dardanëve” në fushë.
“Kosova ka lindur mes vështirësive e sakrificave, është rritur me krenari dhe sot qëndron në fushë me dinjitet, duke përfaqësuar ëndrrat e një populli të tërë”, ka shkruar ajo.
Presidentja i ka cilësuar futbollistët si simbol të qëndresës, guximit dhe shpresës, duke u dërguar një mesazh të qartë mbështetjeje para sfidës më të rëndësishme të viteve të fundit.
“Ju jeni simbol i qëndresës, i guximit dhe i shpresës. Jemi me ju djema. Me Kosovën përgjithmonë. Me Dardanët”, thuhet në mesazhin e saj.
Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë është vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës 2026, me fituesin që siguron një vend në turneun më të madh të futbollit botëror.
Pritet që atmosfera të jetë elektrizuese, me tifozët që do të mbështesin maksimalisht Kombëtaren në këtë përballje historike.



