Presidentja Shiroka Pula: 28 Nëntori bashkon historinë, sakrificën dhe identitetin tonë kombëtar

24 nëntor 2026 | 20:50

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit.

Në fjalën e saj, Presidentja Shiroka Pula tha se flamuri kuq e zi, me shqiponjën dykrenare, përfaqëson simbolin e shtetit shqiptar dhe të gjithë kombit shqiptar, kudo që jeton.

Ajo rikujtoi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në krye me Ismajl Qemajlin, duke theksuar kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin.

Presidentja theksoi se flamuri kuq e zi u bë simbol i qëndresës dhe i luftës çlirimtare të Kosovës, ndërsa 28 Nëntori përfaqëson katër ngjarje të rëndësishme: Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo vlerësoi sakrificën e familjes Jashari dhe theksoi se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë në vendin e vet.

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Presidentja Shiroka Pula tha se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo.

Presidentja përgëzoi Shqipërinë për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke shprehur urimin që flamuri kuq e zi së shpejti të valëvitet edhe në Bruksel.

Presidentja Shiroka Pula bëri thirrje që flamuri të nderohet me punë, dije dhe përkushtim, të ruhen gjuha, identiteti dhe kujtesa historike, si dhe të mos harrohet çmimi i lirisë.

Ajo theksoi se flamuri që valëvitet sot është amanet i brezave që luftuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën për të.

Në fund, ajo u bëri thirrje për forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar nevojën për më shumë integrim ndërmjet dy vendeve: “Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar…