Prishtina shkon për fitore në Drenas

13 mars 2021 | 09:28

FC Prishtina formën e mirë që po gëzon në sezonin pranveror synon ta vazhdojë edhe në ndeshjen kundër Feronikelit e cila zhvillohet sot (e shtunë) në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Kryeqytetasit janë në garë për titull, ndërsa “Nikli” ka mbetur shumë pas me pikë dhe i duhet të jetë i kujdesshëm nëse nuk dëshiron të largohet nga elita.

Futbollisti Leonit Abazi e ka vlerësuar të vështirë përballjen me klubin nga Drenasi, por ka thënë se Prishtina synon maksimumin e pikëve. “Përballja me Feronikelin mbase do të jetë ndeshja më e vështirë deri tani sepse është ekip i fortë dhe me shumë kualitete. Por, pa asnjë dyshim pres fitoren e radhës dhe të vazhdojmë me këtë ritëm. E vërtetë që po gëzoj formë të lartë, e që mendoj se është meritë e gjithë bashkëlojtarëve dhe shpresoj sa më gjatë të jap më të mirën për ekipin”, ka thënë Abazi.

Sot me fillim nga ora 13:00 zhvillohet edhe ndeshja tjetër e javës së 25-të në mes të Besës dhe Llapit. Pejanët janë të fundit në tabelë dhe edicionin e ardhshme do të bëjnë gara në Ligën e Parë, kurse Llapi synon t’iu rikthehet fitoreve për faktin se ndeshjen e fundit luajti baras kundër Drenicës (3-3).

Edhe skuadra e Tahir Batatinës në sezonin pranveror është duke kaluar nëpër një formë të mirë, ani pse renditet në pjesën e poshtme të tabelës. Ndërsa të dielën zhvillohet derbi i kësaj xhiro ku në Suharekë, Ballkani i vendit të dytë e pret skuadrën kampione dhe lideren aktuale, Dritën. Nëse skuadra e drejtuar nga Blendi Shkëmbi e fiton këtë ndeshje derbi, atëherë do ta marrë kryesimin. Drita udhëton me synim për të marrë një rezultat pozitiv.

Ndeshje interesante pritet të jetë edhe ajo në mes të Gjilanit dhe Trepçës ’89, ku pritet të debutojë Ismet Munishi në bankinën e Gjilanit. Kësaj skuadre janë duke i munguar rezultatet pozitive në sezonin pranveror dhe tash me trajnerin e ri shpreson këndelljen. Ndeshja e pestë është ajo në mes të Drenicës dhe Arbërisë.

SUPERLIGA – Java e 25

Të shtunën takohen:
13:00 Feronikeli – Prishtina
13:00 Besa – Llapi

Të dielën takohen:

13:00 Ballkani – Drita
13:00 Drenica – Arbëria
13:00 Gjilani – Trepça ’89

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi, ka thënë…