Pritet rritja e çmimeve të derivateve të naftës në Kosovë

03 mars 2021 | 12:28

Ditëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të çmimit të derivateve. Rritje të çmimeve është paralajmëruar se do të ketë edhe ditëve në vijim. Aktualisht çmimi i dizelit në Kosovë është 98 centë, ndërsa i benzinës 1 euro, ndërsa ky çmim pritet të rritet për 5 centë.

Lirim të çmimit të derivateve deri në 80 centë kishte pasur një vit më herët kur në Kosovë ishin shënuar rastet e para me Covid-19.

Teksa ka pranuar se ka rritje të çmimeve të derivateve ditëve të fundit, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se në rritjen e çmimeve ndikon berza dhe OPEK-u. Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se në Kosovë çmimet e derivateve të naftës janë më të lirat në rajon.

“Në tregjet ndërkombëtare ka rritje të çmimit e kjo do të reflektojë ditët në vijim edhe tek ne në Kosovë. Këto ditë çmimi është duke u rritur. Mund të themi lirisht një rritje shumë e lehtë me nga 1 cent në ditë, por në çmimet me pakicë nuk janë duke u lëvizur. Këto çmime janë që një kohë të gjatë. Përafërsisht pritet të ketë rritje deri në 5 centë. Kjo ndikon në mënyrë automatike, kështu çmimi sot është mesatar diku 98 centë. Pra do të thotë se do të kemi mbi 1 euro çmimin në tregun tonë”, ka thënë Berjani.

Në rritjen e çmimit të derivateve, Berjani ka thënë se është duke ndikuar prodhimi më i ulët që po bëhet

“Dihet se çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese e njohur si OPEC, kështu që ka pasur prodhim më të vogël dhe kur ka prodhim më të ulët gjithmonë rritet çmimi. Në Kosovë sot çmimet sillen përafërsisht 98 centë dizel dhe  benzina 1 euro. Çmimet në Kosovë janë më të lirat në regjion. Dihet se pandemia ka ndikuar në çmim dhe sot është duke ndikuar, sepse qarkullimi nuk ka qenë në pandemi ashtu siç duhet të jetë normalisht. Ndërsa, çmimet sot sillen në suaza të normales dhe çmimi për momentin është më i liri në regjion. Qytetarët e Republikës tonë janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion përveç Maqedonisë, e cila e ka 20 centë më lirë”, ka thënë Berjani.

Pavarësisht paralajmërimit se do të ketë rritje të çmimit të derivateve, ai ka thënë se qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar me derivate cilësore.

Naftëtarët në vend, Berjani ka thënë se janë përballur me probleme të shumta si pasojë e udhëzimeve administrative për pastrimin e rezervuarve dhe atij për kontroll të cilësisë së derivateve.

Përveç këtyre, ai ka thënë se ky sektor është goditur edhe nga pandemia Covid-19, duke shtuar se kanë pasur probleme të shumta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prodhimi i naftës dhe gazit rus ra në 10.1 milionë…